Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e opozitës që kundërshtonin procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.

Pas vendimit të GJK-së ka reaguar vetë Avokati i Popullit, Endri Shabani, i cili shprehet se respekton vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe vlerësimin e saj për procedurën e ndjekur nga Kuvendi.

Në reagimin e tij, Shabani thekson se gjatë shqyrtimit të çështjes ka ruajtur paanshmërinë ndaj deputetëve kërkues dhe Kuvendit, duke mos mbajtur qëndrim mbi themelin e çështjes dhe duke ia lënë vlerësimin Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, vendimi i dhënë nga GJK i jep përgjigje pikëpyetjeve të ngritura lidhur me procedurën e zgjedhjes së tij në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.

Reagimi:

Avokati i Popullit respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, me kërkesë të një grupi deputetësh, verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e titullarit të institucionit dhe konstatoi se ajo është në përputhje me Kushtetutën.

Në këtë çështje, Avokati i Popullit ruajti paanshmërinë ndaj kërkuesve dhe Kuvendit duke mos mbajtur qëndrim për themelin e çështjes dhe duke ia besuar vlerësimin tërësisht Gjykatës, së cilës i përket interpretimi përfundimtar i Kushtetutës.

Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes.
Avokati i Popullit vijon punën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb