TIRANË- Vajza 18-­vjeçare nga Tirana, gjimnaziste e shkollës “Petro Nini”, e cila sajoi rrëmbimin e saj për t’i marrë 400 mijë euro babait, ka ndryshuar deklarimet, shkruan sot Panorama.

Ajo ka dhënë dy versione të ndryshme në lidhje me ngjarjen e ndodhur me largimin e saj nga banesa. Fillimisht ajo i ka telefonuar nënës së saj duke i thënë se u kishte shpëtuar rrëmbyesve që e kishin marrë dhe mbajtur peng nga e enjtja deri pas mesnatës të së premtes. Më pas vajza Nensi Ç. i ka thënë babait Laver Ç., 60 vjeç, se telefonata kërcënuese ndaj tij ku kërkoheshin 400 mijë euro për të lënë të gjallë 18­ vjeçaren ka qenë një shaka.

Pikërisht këto qëndrime kontradiktore dhe pendesa e thellë e shfaqur nga tre të rinjtë e arrestuar për ngjarjen, është duke u analizuar nga ana e Policisë dhe Prokurorisë. Organi i akuzës pritet që ditën e sotme të marrë një vendim në lidhje me kërkesën që do të bëhet për masën e sigurisë ndaj tre adoleshentëve të arrestuar për ngjarjen. Prokuroria bëri me dije se vendimi për masën e sigurisë ndaj tre të rinjve do të merret ditën e sotme pas analizimit të provave dhe rrethanave specifike të ngjarjes. Jozyrtarisht mësohet se familjarët e adoleshentëve kanë kërkuar që ngjarja të mos ndiqet më tej pasi nuk ka pasur pasoja.

SAJIMI I RRËMBIMIT

Të premten, Policia e Tiranës arrestoi shtetasen Nensi Ç. me akuzën se bashkë me të dashurin inskenoi një situatë të rreme rrëmbimi. Qëllimi ishte për t’i zhvatur babait të vajzës 400 mijë euro. Biznesmeni Laver Ç., 60 vjeç, me aktivitet prej vitesh në fushën e furnizimit të mobilierive me lëndë të parë, denoncoi ngjarjen në Polici. Vajza e tij Nensi Ç., 18 vjeçe, kishte bashkëpunuar me të dashurin e saj, shtetasin Orion Hoxha, 18 vjeç dhe një shok të tij, 19­vjeçarin Kristi Gjore.

Gjithçka kishte nisur të enjten në mëngjes kur vajza 18-­vjeçare ka ikur nga shtëpia pa adresë. Ajo është takuar me të dashurin e saj Orion Hoxha, me të cilin ka qëndruar deri pasdite nëpër Tiranë e më pas janë vendosur në një hotel. Pasdite, babai i vajzës pati një telefonatë me numër privat ku i thanë se “kemi vajzën tuaj, bëj gati 400 mijë euro, do të të njoftojmë ku duhet t’i sjellësh”. Duket se për t’i dhënë vërtetësi situatës, autorët kanë kaluar në telefon vetë vajzën, Nensi Ç., që dukej se po qante dhe të thoshte “o babi këta kanë armë”.

Biznesmeni i mobilieve është drejtuar në Policinë e Tiranës ku ka bërë denoncimin duke treguar edhe personat që mund të kishin kontakt me vajzën e tij të larguar prej 24 orësh nga shtëpia. Policia u vu në ndjekje të Orion Hoxhës, ndërsa vajza që kuptoi gjithçka, doli nga hoteli ku po qëndronte dhe fillimisht i tha nënës së saj se u kishte shpëtuar rrëmbyesve. Kur mësoi se babai i saj kishte shkuar në Polici, 18­vjeçarja e telefonoi biznesmenin dhe i tha se ngjarja ishte një shaka.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: