Kryeministri Edi Rama ka bërë sot një paralajmërim të fortë për inspektorët, që të ushtrojnë detyrën dhe jo të gjobisin biznese apo t’i shantazhojnë ato, në kundërshtim me ligjin.

Në një takim me ministren Delina Ibrahimaj dhe kryeinspektorin Dashnor Sula, kreu i qeverisë theksoi se gjoba është arma e fundit që duhet të aplikojë inspektori në terren, dhe jo të vendosë ‘shpata’ shantazhi mbi qafën e sipërmarrësve.

Ai shtoi mes të tjerash se nuk duhet të ketë asnjë kontroll pa paralajmërim. Mes të tjerash Rama tha se qëllimi i qeverisë nuk duhet të jetë që të kapë subjektet në gabim, por t’i ndihmojë ato në zbatimin e ligjit.

“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e “Besës”.

E para, nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektori nuk vjen te dera e biznesit si në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh.

Qëllimi ynë nuk është t’i kapim subjektet në gabim, por t’i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe në përmbushjen e standardeve që janë interesi ynë i përbashkët dhe e dyta; gjoba mbi një biznes është arma e fundit, jo e para dhe kurrë një “shpatë” shantazhi në qafën e sipërmarrësit për të gjetur një mënyrë tjetër pastaj për ta shmangur gjobën dhe kush nxjerr gjobën përpara fjalës së mirë, nuk po e mbron shtetin, por po e turpëron atë.

E treta; kujt i vjen një inspektim pa paralajmërim për një kontroll rutinë nga cilido inspektorat, duhet ta denoncojë menjëherë tek Inspektori i Përgjithshëm.

Kjo nuk është ankese, kjo është e drejtë dhe këtë të drejtë, ne mund ta vendosim vetëm së bashku, qeveria dhe sipërmarrja.

Dhe së fundi, së shpejti, çdo inspektor që troket në emër të shtetit tek dera e një tatimpaguesi të kësaj republike, do të jetë i pajisur me kamerën inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë, që të dish kush është, çfarë përfaqëson dhe që ai vetë ta dijë se në çdo minutë të punës së tij është i mbikëqyrur nga Inspektorati i Përgjithshëm.

Shteti që hyn në derën e njerëzve, duhet t’i bëjë ata krenarë për taksat që ata i paguajnë këtij shteti”, tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb