Vijon heshtja e organeve tatimore shqiptare në lidhje me gjobat e vëna ndaj kompanive mediatike vendase, Focus News dhe RTV Ora.

“Media Freedom Rapid Response” (Përgjigja e shpejtë për lirinë e medias), mekanizëm që monitoron dhunimin e lirisë së medias në vendet anëtare të BE dhe vendeve kandidate, raporton se ka kontaktuar me Tatimet në vendin tonë në lidhje me gjobat e majme të vëna ndaj dy mediave, të dyja kritike ndaj qeverisë, por se si përgjigje ndaj kërkesës ka marrë vetëm heshtjen.

Kujtojmë se gjobat ndaj mediave janë justifikuar me arsyetimin se pagat e disa punonjësve janë nën standardin e tregut për këtë profesion, ndërkohë që gazetarët e kësaj kompanie i kanë drejtuar kancelarive perëndimore një letër ku e quajtën një masë të tillë një sulm ndaj mediave dhe përpjekje e kryeministrit Edi Rama për të gjunjëzuar mediat.

Njoftimi i MFRS:
Në 10 mars 2023, SafeJournalist publikoi një deklaratë në lidhje me gjobat e rënda të vendosura ndaj dy mediave shqiptare nga qeveria:

Autoritetet tatimore shqiptare kanë gjobitur të paktën dy media”, thuhej në deklaratë.

RTV Ora News është gjobitur me rreth 33 milionë lekë (285,654 euro) sipas dokumenteve të Media Freedom Rapid Response.

Ndërkohë që sipas një artikulli të drejtuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN), Focus News është gjobitur me 20 milionë lekë (173,000 euro).

Raporti i organeve tatimore për inspektimin e Focus News, raport i parë nga BIRN, pretendon se inspektorët tatimorë konstatuan se punonjësit paguhen nën normën e tregut referuar profesionit specifik.

Theksohet se të dyja mediat janë kritike ndaj qeverisë, ndërkohë që gazetarët e RTV Ora janë sulmuar dhe frikësuar disa herë.

Gjobat e vendosura ndaj këtyre kompanive janë të konsiderueshme krahasuar me qarkullimin mesatar vjetor të tyre.

Drejtori për Informim i RTV Ora, Brahim Shima, tha për Media Freedom Rapid Response, se gjoba është shqiptuar me argumentin se paga e disa gazetarëve nuk plotëson standardet e pagës mesatare.

Sipas tij, gazetarët janë marrë në pyetje nga organet tatimore përmes një pyetësori.

“[Ky vendim] jo vetëm që rrezikon stabilitetin financiar të RTV Ora, por dëmton edhe psikologjikisht gazetarët dhe i inkurajon ata të lënë punën”, deklaron ai.

Hysenbelliu Group, që zotëron Focus News, i tha BalkanInsight se gjoba (një prej disave që kanë vënë në target kompaninë) ishte lëshuar me qëllimin për të “heshtur organet e saj mediatike”.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Ballkanin Perëndimor i ka bërë thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Shqipëri të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në gjobat e vendosura ndaj mediave kritike.

Ata i kërkojnë autoritetit tatimor të sqarojë metodologjinë e përdorur për identifikimin e sektorëve me rrezik të lartë dhe kriteret e përdorura për përzgjedhjen e mediave për gjoba, si dhe të zbulojë emrat e të gjitha mediave që janë gjobitur, së bashku me shumat e gjobave të tyre.

Drejtoria e Tatimeve, e kontaktuar nga Media Freedom Rapid Response, nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb