TIRANE– Gjykata e Krimeve të Rënda rivlerësoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Endrit Zelën dhe Endrit Qyqjan, të arrestuar dy ditë më parë si pjesë e bandës së Emiljano Shullazit, që gjobiste biznesmenë në emër të tij.

Zela, i cili mësohet se është nipi i Emiljano Shullazit u prangos ne ambientet e dhomës së takimeve në burgun 313 teksa priste të takonte Shullazin, ndërsa shoku i tij Endrit Qyqja u arrestua brenda një lokali pranë burgut.

Ata nuk kanë folur para gjykatës, por mësohet se nuk kanë pranuar akuzat. Dy adashët në bashkëpunim me shtetasit Emiljano Shullazi e Gilmano Dani, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike.

Në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasit Shullazi dhe Dani dyshohet se i kanë marrë një biznesmeni shuma parash në kohë të ndryshme, duke e kërcënuar fizikisht, si edhe duke ushtruar dhunë fizike.

Në disa nga rastet e kërcënimit për dhënie pasurie, në shoqërinë e Shullazit dhe Danit kanë qenë edhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.

Ndërkohë biznesmeni që denoncoi gjobëvënien nga banda e Emiljano Shullazit është marrë prej kohësh në mbrojtje.

Urdhri është lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që prej momentit që biznesmeni ka dhënë dëshminë e tij, ku ka treguar se herë pas herë është detyruar të lëshojë për llogari të tyre çeqe bankare, në shuma që variojnë nga 35 mijë dollarë, 120 mijë dollarë apo 15 mijë euro. Të gjitha këto para në valutë, euro dhe dollarë janë tërhequr nga nipi i Shullazit, Endrit Zela që u arrestua një ditë më parë dhe Gilmando Dani.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb