Gjykata Administrative rrëzon kërkesën e kolegjit “Mehmet Akif”, duke lënë në fuqi vendimin e qeverisë për mbylljen e tij.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të rrëzojë kërkesën e Kolegjit ‘Mehmet Akif Ersoy’ për sigurimin e padisë që do të thotë kërkonte pezullimin e përkohshëm të vendimit të qeverisë që revokoi licencën për fondacionin ‘Gulistan’ që kishte dhe kolegjin arsimor që të paktën 24 vitet e fundit.

“Vendimi u mor pas diskutimesh të ashpra në seancën gjyqësore që zgjati një orë e 40 minuta. Nga njëra anë pala kërkuese kolegji “Mehmet Akif Ersoy” pretendon se përmes revokimit të licencës fondacionit po i shkaktohet një dëm shumë i madh jo vetëm financiar, por nga ana tjetër dhe po cenohen të drejtat e nxënësve të kolegjit, një pjesë e të cilëve sikurse pretendoi avokati nuk po shkojnë në shkollë në pritje të vendimmarrjes së gjykatës. Gjithashtu u pretendua se ministria nuk ka pasur arsye që të revokonte licencën sepse shkeljet e konstatuara, problematikat kanë qenë të një natyre të vogël dhe jo aq shqetësuese. Avokati pretendoi se të vetmet shkelje kishin të bënin me dritën në katër klasa që binte nga ana e kundërt e tabelës mësimore dhe së dyti kishte disa shqetësime që lidheshin me palestrën. Ndërkohë që ministria e Arsimit pretendoi nga ana e saj se revokimi i licencës u bë pas disa kontrolleve të ushtruara dhe inspektimeve në kolegj dhe gjatë kësaj kohe pavarësisht se iu dha kohë nuk u bënë këto ndryshime dhe nuk u plotësuan këto kritere.
Gjithashtu thelbi sipas ministrisë së Arsimit ishte se ata filluan vitin e ri shkollor në kohën kur në fakt nuk u ishte miratuar ndryshimi i vendndodhjes së godinës së kolegjit”, raportoi gazetarja Lala.

Në fund Gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën. Në seancën e parë ishte i ftuar dhe këshilli i ministrave si palë e interesuar dhe e domosdoshme përderisa kishte marrë vendimin, por nuk u paraqit asnjë përfaqësues i qeverisë. Interesat e qeverisë shqiptare në këtë proces u mbrojtën nga Avokatja e Shtetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb