Konfirmohet dënimi për Moisi Habilajn, narkotrafikanti shqiptar, për të cilin gjykatësit e Apelit në Katania kanë vendosur të mos e ndryshojnë vendimin e Shkallës së Parë: dënimin me 15 vjet, 5 muaj dhe 5 ditë burg, vendim ky i marrë më 2019, shkruajnë sot mediat italiane.

Mediat italiane shkruajnë se Habilaj në gjykimin e Shkallës së Parë kishte vendosur të fliste me magjistratët për të pranuar disa akuza dhe për t’i dhënë atyre informacione për çdo përfshirje të mundshme të kushëririt të tij në trafikun e drogës, pra ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Kjo ndodhi pavarësisht përgjimeve mes tyre, të cilat përfunduan në aktet e hetimit të “Rosa dei Venti” dhe u publikuan nga MeridioNews, në të cilat të dyshuarit do t’i referoheshin vazhdimisht këtij politikani. Tahiri u hetua gjithashtu nga zyra e prokurorit të Katanias, por dosja u mbyll me një kërkesë për arkivim e cila u pranua më pas nga gjyqtarja Loredana Pezzino.

Banda e trafikantëve, kapot e të cilës ishin Habilajt, zhvillonte aktivitetin e saj mes Shqipërisë dhe Sicilisë për të importuar sasi të mëdha marihuane, por edhe armë luftarake. Gjithçka do të ishte e mundur falë një rrjeti tregtarësh me shumicë në zonë me marrëdhënie të drejtpërdrejta me klanet kryesore mafioze lokale.

Banda do të kishte shijuar mbulimin institucional nëse nuk do të ishte zbuluar, shkruan MeridioNews. «Nëse vini në Shqipëri – tha Habilaj – e kuptoni që policia është e korruptuar. Ndonjëherë është vetë shefi që na ndihmon të ngarkojmë thasët ».

Zbulime të cilat, pas hetimit në Itali, çuan në hapjen e disa dosjeve hetimore në Shqipëri.

Në procesin e apelimit, gjykatësit vendosën të konfirmojnë dënimin edhe kundër Antonino Riela, në shkallën e parë të dënuar me 14 vjet e tetë muaj. Nga ana tjetër, Angelo Busacca, kalon nga shtatë vjet e katër muaj deri në gjashtë vjet e dhjetë muaj në burg.

Zbritje gjithashtu ka për Maridiam Sulaj dhe Nezar Seiti, i pari u dënua me tetë vjet ndërsa i dyti, që besohet të ishte financieri i organizatës dhe u ekstradua në Itali pasi u arrestua në Shqipëri nga policia lokale, u dënua me gjashtë vjet e tetë muaj burg. Për Vincenzo Spampinato është dhënë nëntë vjet në Apel. Gianluca Passavanti u dënua me dy vjet e tetë muaj. Për Rosario Giuliano dhe Giuseppe Greco një vit e dhjetë muaj.

Moisi Habilaj është larguar nga burgu që nga fundi i majit, pasi kaloi 954 ditë pas hekurave. Por me sa duket ai duhet të rikthehet sërish.

Për disa muaj, trafikanti i drogës ka qenë në paraburgim shtëpiak në shtëpinë e një kushëriri në territorin e San Michele di Ganzaria, në provincën e Katanias. Gjyqtarët, gjatë seancës së parë të procesit të Apelimit, në fakt kishin pranuar kërkesën e avokatëve të tij, avokatëve Francesco Strano Tagliareni dhe Maria Caterina Caltabiano.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb