Gjykata e Lartë i jep “OK” ekstradimit të shtetasit indian Nitin Mishra alias Ricky Sequierra të arrestuar në aeroportin e Rinasit, i cili kishte apeluar vendimin deri në shkallën më të lartë të gjyqësorit.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Mishra do të ekstradohet drejt SHBA, ku akuzohet si pjesë e një grupit që shpërndante substanca farmaceutike të falsifikuara.

Gjatë një hetimi nga DEA, u zbulua Nitin Mishra ishte pjesë e një organizate transnacionale trafiku substancash narkotike, e cila po shpërndante në Shtetet e Bashkuara të Amerikës produkte të ndryshme të kontrolluara farmaceutike të falsifikuara nga vende të tjera.

Sapo pakot voluminoze mbërrinin në SHBA, bashkëpunëtorët e vendosur brenda territorit të SHBA ua shpërndanin barnat klientëve pa pasur ndonjë recetë të ligjshme nga një mjek. Ky hetim ka identifikuar Mishra-n si pronari i një ëebsite që shpërndante substanca të kontrolluara.

Mishra përpunonte personalisht porositë e barnave, drejtonte pagesat dhe transportuesit e barnave që ndodheshin jashtë dhe brenda SHBA, që ata të dërgonin pako barnash nëpërmjet Shërbimit Postar.

Në një rast, Mishra komunikoi drejtpërdrejt me një agjent të fshehtë të DEA-s (person i infiltruar), mori pagesa për barnat nga agjenti i fshehtë dhe drejtoi dërgimin e substancave të ndryshme të kontrolluara te agjenti i fshehtë në Distriktin Lindor të Wisconsin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb