Gjykata e Lartë vendosur mbi fatin e Laert Haxhiut, duke rrëzuar rekursin e paraqitur nga ky i fundit kundër vendimit të Apelit të Posaçëm, i cili e ka dënuar atë me burgim të përjetshëm.

Sipas dokumentit zyrtar të zbardhur sot më 19 Maj 2026, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga trupi gjykues me gjyqtarë Ilir Panda (Relator), Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, në dhomë këshillimi ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga i gjykuari Haxhiu.

“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga i gjykuari Laert Haxhiu, kundër vendimit nr. 45 (87-2024-326), datë 13.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimi e Organizuar.”

Me këtë vendim, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin maksimal për Haxhiun lidhur me akuzat e rënda që rëndojnë ndaj tij, që lidhen me nenet 78/2 e 22 (vrasje me paramendim e mbetur në tentativë), si dhe nenet 28/4, 334/1, 278/1, 274 të Kodit Penal, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Laert Haxhiu është dënuar me burg përjetë si autori kryesor i të ashtuquajturës “Masakra e Lushnjes” në vitin 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa objektiv i atentatit dyshohet se ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb