Gjykata e Lartë e Irakut ka dënuar një burrë me varje për vrasjen e dy gazetarëve që mbulonin protestat antiqeveritare në qytetin jugor të Basrës vitin e kaluar.

Ahmad Abdessamad, një korrespondent 37-vjeçar për stacionin televiziv Al-Dijla, dhe kameramani i tij Safaa Ghali, 26 vjeç, po udhëtonin në qytetin e tyre të Basrës në janar 2020 kur një automjet tjetër u ndal dhe persona të armatosur hapën zjarr, duke goditur makinën me plumba.

I dënuari, i identifikuar vetëm me inicialet “H.K”, kishte “rrëfyer për të gjitha krimet”, tha gjykata në Basra në një deklaratë të hënën.

Gjykata tha se ai kishte vrarë dy gazetarët “me qëllim të destabilizimit të sigurisë, stabilitetit dhe të frikësimit të njerëzve për qëllime terroriste”.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme nëse kishte lidhjen me ndonjë grup tjetër.

I akuzuari u arrestua në fillim të vitit 2021 bashkë me katër anëtarë të tjerë të një “rrjeti prej 16 personash përgjegjës për atentat”, tha një zyrtar i sigurisë në atë kohë.

Dekreti që autorizon varjen e tij duhet ende të nënshkruhet nga presidenti irakian Barham Salih. Ai ka 30 ditë për të apeluar.

Demonstratat shpërthyen në tetor 2019 në Bagdad dhe në të gjithë jugun me shumicë shiite të Irakut, duke kundërshtuar korrupsionin e qeverisë dhe mungesën e vendeve të punës.

Përafërsisht 600 njerëz vdiqën në të gjithë vendin dhe dhjetëra mijëra u plagosën në dhunën e lidhur me protestat.

Dhjetra aktivistë kanë vdekur  ose janë rrëmbyer që nga tetori 2019, në sulmet e kryera nga burra me motoçikleta.

Organizatat irakiane të të drejtave të njeriut kanë akuzuar qeverinë për dështimin për të sjellë vrasësit para drejtësisë.

Kryeministri Mustafa al-Kadhimi është zotuar vazhdimisht se do të gjurmojë personat e armatosur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb