Gjykata Speciale ka vendosur që të lërë në paraburgim dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn. Nicolas Guillou ka kërkuar nga palët që deri më 1 shkurt të dërgojnë parashtresat e tyre për lirim me kusht.

Mbrojtja e Gucatit kishte propozuar tri kushte për lirimin e kryetarit të OVL-së së UÇK-së nga paraburgimi. Kushti i parë ishte që ai të mos hyjë në Prishtinë, i dyti ishte që ai të ketë vetëm një pajisje elektronike për komunikim ku do të kishte qasje edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe kushti i tretë ishte që ai të jetonte jashtë Kosovës. Mbrojtja ofronte që Gucati të banonte në një shtet të tretë, në ndonjë shtëpi të ndonjë të afërmi, shkruan express.

Ndërkaq mbrojtja e Nasim Haradinajt kishte propozuar më shumë kushte. Aty përfshiheshin dorëzimi i pasaportës dhe ndalimi për ta lëshuar Kosovës përveç paraqitjeve në Gjykatën Speciale, të mos e ndërrojë vendbanimin, çdo pajisje e tij komunikimi të jetë e lidhur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Po ashtu ai duhet të raportojë në ndonjë stacion lokal policor, të përmbahet nga kontakti me Hysni Gucatin dhe të mos komunikojë me mediat. Megjithatë, Gjykata Speciale i ka hedhur poshtë të gjitha këto ‘garanci’ dhe ka vendosur t’ua vazhdojë atyre paraburgimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: