ZVICËR- Presidenti i FSHF-­së Armando Duka në një intervistë me Zërin e Amerikës nga Lozana, ku po zhvillohet procesi gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv tha se përgjigja përfundimtare e kësaj gjykate mund të vonojë edhe një muaj.

Sipas Dukës, Shqipëria ka besim se Gjykata do t’i japë fitoren në tavolinë Shqipërisë, pasi ndeshja në Beograd u ndërpre për shkak të dhunës ndaj lojtarëve shqiptarë dhe se skuadra kuqezi nuk ka refuzuar të kthehet në fushë. Kreu i FSHF-­së theksoi se ndeshja nuk mund të luhej në kushte të papërshtatshme dhe nuk pati asnjë urdhër për ta vijuar atë.

Zëri i Amerikës: Mund të bëni një përmbledhje të kërkesës zyrtare të Shqipërisë dhe në ç’prova e ka mbështetur kërkesën e saj?

Armando Duka: Shqipëria duhet ë marrë atë ndeshje në tavolinë se ndeshja nuk është ndërprerë për arsye të ekipit shqiptar por të dhunës dhe racizmit të shprehur nga huliganë dhe tifozë në stadium. Pra ndeshja të përfundojë me rezultat për Shqiperinë 3-­0 dhe të hiqet masa e gjobës pasi është federata serbe përgjegjëse për realizimin e ndeshjes.

Zëri i Amerikës: Si u zhvillua seanca e sotme?

Armando Duka: Seanca dëgjimore në Lozanë me dëgjimin e dëshmitarëve të paraqitur nga FSHF dhe nga pala serbe, deri para 5 minutash janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët nga Lorik Cana…kapiteni i ekipit serb dhe një zyrtar i Drejtorisë së policisë së Stadiumit te Beogradit…dëgjimi për të qartësuar të vërtetën e asaj që ka ndodhur. Tani është një kohë pushimi. Trupi gjykues do marri kohën e vet për vendim.

Zëri i Amerikës: Sa gjasa ka që kërkesa e Shqipërisë të njihet dhe a ka precedent të mëparshëm kjo gjykatë të rrëzimit të kësaj lloj kërkese?

Armando Duka: Mendojnë se kemi 100% të drejtë. S’jemi shkaktarë…s’kemi refuzuar të hyjmë në fushë, skuadra shqiptare është dhunuar jo vetëm nga tifozët serb… e ka pasur të pamundur të kthehet në fushë, s’ka pasur urdhër për tu kthyer..kjo është një lojë që luhet në kushte të barabarta, por jo absolutisht të papërshtatshme…ishte e pamundur që ajo ndeshje të luhej.

Zëri i Amerikës: Kur pritet të dalë vendimi?

Armando Duka: Do marri kohë, s’na është thënë një gjë e qartë nga drejtuesit e seancës, ndoshta edhe një muaj.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: