SHKUP- Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave rreshton Maqedoninë së bashku me vendet që janë goditur nga lufta siç është Siria dhe Iraku. Raporti i muajit maj nga ky grup ndërkombëtar vlerëson se kriza në Maqedoni refektohet si në planin ndërkombëtar ashtu dhe në atë vendor. Lumi i protestave është një tregues i rëndësishëm se vendi kalon ditët më të vështira që nga krijimi i tij.

Në këtë vlerësim si indikatorë kryesorë është qëndrimi i partisë opozitare LSDM e cila nuk pranon të shkojë në zgjedhje më 5 qershor, vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për faljen e 56 personave të dyshuar për vepra kriminale, ndërsa e gjithë kjo situatë ka ndikuar negativisht në procesin e punës së Prokurorisë Speciale e cila konsiderohet si hallka më e besueshme për vendosjen e drejtësisë në vend. Shkaktarë të tjerë konsiderohen edhe obstruksionet e vazhdueshme që i bëhen Speciales nga institucionet e tjera, kategorizimi i mediave si “jo të lira” bazuar në Raportin e Freedom House dhe pezullimi i bisedimeve për mediat, zhdukja e një dëshmitari të Prokurorisë Speciale, e të tjera.

Në kategorinë e njëjtë me Maqedoninë janë edhe Afganistani, Bangladeshi, Gambia, Iraku, Siria, Azarbejxhani dhe Republika e Kongos. Maqedonia për muajin maj, krahasuar me muajt e kaluar, është shënjuar me “Shenjën e kuqe” që tregon se kriza në vend po thellohet. Alsat kontaktoi dy ish përfaqësues të kësaj organizate për Ballkanin, Naim Rashiti dhe Marko Prelec, duke kërkuar një qëndrim të tyre, por ata konfirmuan se tani për tani Ballkani nuk ka një përfaqësues të tillë.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave është një organizatë jo-qeveritare dhe jo-fitimprurëse e cila angazhohet për parandalimin dhe zgjidhjen e konfikteve vdekjeprurëse. Në faqen e internetit të kësaj organizate publikohen raporte mujore për situatën në të gjitha vendet e botës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: