MIRDITA

Policia ka goditur dy raste të tentativës për kultivim të narkotikëve në Mirditë. 5 persona janë arrestuar në total teksa 5 të tjerë janë proceduar penalisht.

Mes tyre janë proceduar edhe dy kryetarë fshatrash si dhe dy specialistë pyjesh.

Astrit Lepuri dhe Elidon Vofi u arrestuar në Xhuxhë, u procedua Nikoll Kola (Kryetari i Fshatit Xhuxhë) dhe Shkurt Marku Specialist i pyjeve Fan, për rastin e kultivimit në Xhuxhë.

Nga ana tjetër në Gziq u arrestuan Nikolin Krepi , Arjon Marku dhe Gjon Krepi si dhe u proceduan Pashk Lleshi (Kryetar i fshatit Pshqesh), Gjovalin Laska (Specialist për pyjet në Njësinë Administrative Orosh), Bardhok Ndreca (Administratori i Njësisë Administrative Orosh).

NJOFTIMI NGA POLICIA

Mirditë, Lezhë

Shërbimet e Policisë, kontrolle të shtuara në territor, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrolleve janë goditur dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, nga shërbimet e Policisë Mirditë, në bashkëpunim me FNSH Shkodër.

Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, procedohen penalisht dhe 5 të tjerë.

Sekuestrohen një armë zjarri automatik dhe fidanë kanabis.

-Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasit A. L., 39 vjeç, banues në Kurbin dhe E. V., 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa, në fshatin Xhuxhë, Mirditë.

Gjithashtu për këtë rast janë proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi N. K., me detyrë kryetar i fshatit Xhuxhë dhe shtetasi Sh. M., me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Fan, Mirditë.

-Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë u arrestuan në flagrancë shtetasit: N. K., 32 vjeç, A. M., 31 vjeç dhe Gj. K., 38 vjeç, banues në Lezhë.

Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë duke kultivuar fidanë narkotike të mbjellë në kubikë, në fshatin Gziq, Njësia Administrative Orosh, Mirditë.

Njëkohësisht, janë proceduar penalisht për vepren penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit: P.Ll.,me detyrë kryetar i fshatit Pshqesh , Gj.L.,me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Orosh, B.N.,me detyrë Administratori i Njësisë Administrative Orosh, Mirditë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një ambient që këta shtetas e kishin përshtatur për strehim u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb