Ndalohet efektivi i policisë në Shkodër, Shkëlzen Gjonaj, i cili dhunoi brenda një lokali një të ri duke e goditur me grushte e shkelma, si edhe i mori para një qytetari nga portofoli.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në saj të një pune të përbashkët hetimore në funksion të procedimit penal regjistruar më datë 31 maj të këtij viti, ka finalizuar me sukses dokumentimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të punonjësit të policisë Nënkomisar Shkëlzen Gjonaj, 55 vjeç, me detyrë Specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër.

“Ndaj këtij punonjësi, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër ka nxjerrë urdhër ndalimi për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B. Ky rast është publikuar në media më datë 01.06.2023. AMP fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.”, thuhet në njoftimin e AMP.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: