Bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë, Binance, është përballur me një sulm masiv kibernetik, nga i cili janë prekur asete dixhitale me vlerë rreth 6.3 miliardë dollarë. Kompania bëri të ditur se rreth gjysma e këtyre aseteve janë ngrirë, ndërsa pjesa tjetër mbetet ende në duart e sulmuesve.

Binance deklaroi se do të mbulojë të gjitha humbjet e shkaktuara nga incidenti. Kontrollet paraprake sugjerojnë se sulmi mund të ketë nisur pasi laptopi i një prej inxhinierëve të kompanisë është komprometuar, duke i dhënë mundësi një hakeri të kryente tërheqje të paautorizuara.

Dy kompani të specializuara në analizën e transaksioneve të kriptomonedhave, TRM Labs dhe Chainalysis, ia kanë atribuar sulmin një grupi hakerash të lidhur me Korenë e Veriut, të njohur si “TraderTraitor”. Nëse konfirmohet, ky incident do të tejkalonte sulmin e vitit 2025 ndaj platformës Bybit, ku u vodhën rreth 1.5 miliardë dollarë.

TRM Labs vlerëson se disa elemente të sulmit ndaj Binance ngjajnë me ndërhyrjet e mëparshme kibernetike të lidhura me Korenë e Veriut. Ndërkohë, Chainalysis deklaroi se ka “besim të lartë” për lidhjen e këtij grupi me incidentin.

Ari Redbord, drejtuesi global i politikave në TRM Labs, e cilësoi sulmin si një “moment vendimtar” për industrinë e kriptomonedhave, duke theksuar se ai ndryshon nga gjithçka që është parë deri më tani në këtë sektor. Sipas tij, një sasi e konsiderueshme e aseteve të vjedhura vijon të jetë në duart e sulmuesve, ndaj përpjekjet për gjurmimin dhe rikuperimin e tyre janë ende larg përfundimit.

Gjatë viteve të fundit, grupet e lidhura me Korenë e Veriut kanë shënjestruar gjithnjë e më shumë kompanitë e kriptomonedhave, duke kryer vjedhje në shkallë të gjerë. Agjencitë perëndimore të sigurisë kanë paralajmëruar më parë se fondet e përfituara nga këto sulme mund të përdoren për financimin e programeve bërthamore dhe raketore të Phenianit. Autoritetet e Koresë së Veriut kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen në sulme kibernetike.

Pas sulmit, disa prej kompanive më të mëdha të industrisë së kriptomonedhave kanë ndërhyrë për të bllokuar asetet e lidhura me incidentin.

Tether dhe Circle njoftuan se kanë ngrirë së bashku rreth 2.4 miliardë dollarë. Drejtori ekzekutiv i Circle, Jeremy Allaire, bëri të ditur se kompania ka bllokuar më shumë se 800 milionë dollarë asete, ndërsa kreu i Tether, Paolo Ardoino, konfirmoi ngrirjen e rreth 1.6 miliardë dollarëve.

Circle është emetuesi i USDC, një prej kriptomonedhave më të mëdha të mbështetura nga dollari amerikan, ndërsa Tether lëshon monedhën dixhitale USDT.

Edhe World Liberty Financial, kompani kriptomonedhash e lidhur me presidentin amerikan Donald Trump dhe familjen e tij, deklaroi se ka bashkëpunuar me partnerët për ngrirjen e fondeve të vjedhura. Ndërkohë, Coinbase tha se platforma e saj nuk është prekur nga sulmi dhe se po monitoron situatën.

Bashkëdrejtuesja ekzekutive e Binance, Yi He, falënderoi përmes disa postimeve kompanitë që ndihmuan në ngrirjen e aseteve. Ajo njoftoi gjithashtu se tërheqjet ishin çaktivizuar përkohësisht, deri në konfirmimin se sistemi ishte sërish i sigurt.

Binance deklaroi se po bashkëpunon ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit për të identifikuar autorët dhe për t’i vënë ata para drejtësisë.

Sulmi ka shkaktuar reagime edhe në tregjet financiare. Bitcoin ra me më shumë se 4% pas publikimit të lajmit, ndërsa humbje të ndjeshme regjistruan edhe kriptomonedha të tjera kryesore, përfshirë Ethereum dhe Solana.

Incidenti prek platformën globale Binance.com dhe jo Binance.US, e cila ofron shërbime tregtimi për banorët amerikanë dhe deklaroi se nuk është ndikuar nga problemi.

E themeluar në vitin 2017, Binance vlerësohet të ketë më shumë se 300 milionë përdorues të regjistruar në mbarë botën. Kompania bëri të ditur në vitin 2024 se kishte nën administrim asete me vlerë mbi 160 miliardë dollarë. Sulmi i fundit ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e platformave të mëdha të kriptomonedhave, të cilat mbeten objektiva tërheqëse për grupet e hakerave për shkak të vlerës së lartë të aseteve që administrojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb