Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Himarjotëve, Nikollaq Neranxi, në një intervistë për “Panorama” ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe pushtetit vendor, duke thënë se me planin urbanistik të Himarës synon të shkatërrojë shtëpitë e 500 familjeve. Neranxi është shprehur se projekti nuk është konsultuar me banorët dhe se u janë marrë firmat me mashtrim. Biznesmeni i njohur ka bërë të ditur se do të organizojë një protestë në Himarë për të kundërshtuar planin rregullues të qytetit, dhe nëse pushteti vendor nuk tërhiqet, do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore. Ish-deputeti i LSI-së ka lëshuar akuza dhe ndaj kryebashkiakut të Himarës, duke thënë: “Jorgo Goro ka prerë në besë banorët e Himarës, ai ka rënë dakord me mafiozët që të na përzënë që aty”.

Himara kohët e fundit është kthyer në qendër të vëmendjes për problemin e pronave, ku ju shohim si protagonist. Mund të na thoni diçka më shumë?
Fakti që unë jam një sipërmarrës i njohur në vend, ka bërë që unë të faktorizohem. Sepse, në fakt, në problemin e Himarës unë jam thjesht një nga banorët e dëmtuar, asgjë më shumë. Plani i ri urbanistik i Himarës ka sjellë konfliktin, sepse ai nuk është konsultuar më parë me banorët. Pra, banorët janë thirrur në dëgjesa publike, por nuk kanë mësuar realisht se çfarë është ai plan, çfarë do rregullohet, çfarë do prishet. Në shumë prej këtyre mbledhjeve kam qenë edhe unë prezent. Aty përdoren fjalë të përgjithshme, si rivitalizim, rikualifikim, por nuk na është dhënë asnjëherë një projekt konkret në dorë që të shohim deri ku shkon rruga, deri ku shkon trotuari, ku është lulishtja, ç’do bëhet me bahçen time, me shtëpinë e komshiut. Kjo bëhet sepse nuk kanë kurajë të na tregojnë të vërtetën.

Dhe cila është kjo e vërtetë, sipas jush?
E vërteta është se e gjithë zona buzë detit, nga Spileja deri në Potam, do të rrafshohet dhe rreth 500 familje që banojnë aty do të ngelen pa shtëpi, pa dyqan, pa prona, pa asgjë. Ato familje nuk do të kenë asnjë mundësi se ku të ankohen sepse nuk kanë asnjë certifikatë pronësie, asnjë qeveri nuk ua ka dhënë, kështu që automatikisht do t’i hedhin në rrugë.

Ku e dini ju këtë?
Unë kam kërkuar me insistim ta shoh atë projekt dhe nuk ma kanë dhënë. Kanë shkuar banorët që jetojnë aty për ta kërkuar në Bashki dhe nuk ua kanë dhënë, ndërkohë punonjës të Bashkisë, në rrugë jozyrtare, na kanë informuar se “do t’ju shembin çdo gjë, kështu që mos e pranoni, ngrihuni, reagoni!”. Më pas, unë kërkova me insistim ta shoh projektin te Studio Papajani, që është zgjedhur për këtë punë, dhe aty u vërtetua gjithçka. Të gjitha shtëpitë tona shkatërrohen, sipas atij projekti. Ata do të fillojnë në ditët e para të shtatorit të shembin pak nga pak, kur aty të ketë vetëm pleq, sepse dihet që himarjotët janë të gjithë në emigracion dhe do t’i dëbojnë pjesë¬pjesë duke i mashtruar. Kështu, do të zhduket një komunitet që ka shekuj që rri aty, në ato shtëpi shekullore, do të zhduket identiteti i atij vendi, historia e saj. Jam i bindur se krahas përfitimeve ekonomike, të cilat do të jenë shumë të mëdha duke grabitur Himarën, dikujt i intereson të realizojë edhe planin e dëbimit tonë.

Pse e keni këtë bindje?
Nga mënyra sesi sillen me ne, ku askush nuk na sqaron asgjë, nga fakti që është vënë në punë gjithë makineria e dizinformimit, dhe, mbi të gjitha, askush nuk na pyeti se si e doni këtë vend, çfarë mund të rregullojmë, tregon se ne jemi të përjashtuar nga çdo gjë, që më pas të dëbohemi. Do të kemi mundësi të flasim gjëra konkrete mbi skenarin e dëbimit, pasi nuk është tani momenti.

Po kryetari i Bashkisë, Jorgo Goro, nuk jep asnjë sqarim, as me ju?
Dimë që ju jeni investuar që ai të zgjidhet kryetar bashkie. Asnjëherë në jetën time nuk kam bërë dhe nuk do të bëj sulme personale publike ndaj askujt, por vetëm për shkak të detyrës. Unë kam shkruar kundër Bollanos, kur ishte kryetar bashkie, pikërisht për faktin se nuk po e ndihmonte komunitetin të merrnin pronat. Në Himarë, ky është problemi kryesor, nuk mund të flitet për asnjë lloj investimi, nëse nuk zgjidhet ky problem. Kur u zgjodh Goro kryetar bashkie, unë bëra një shkrim për të dhe e kam mbyllur me këtë fjali: “Nëse ti nuk do t’i mbash premtimet, unë do të jem i pari që do të të dal kundër”. Dhe ja ku jemi pas 5 vitesh, ku edhe ai nuk bëri asgjë për pronat tona. Goro ka prerë në besë banorët e Himarës, ai ka rënë dakord me mafiozët që të na përzënë që aty dhe tani, pas kaq shumë akuzash publike që i kemi bërë, nuk ka fytyrë të dalë të thotë dy fjalë që të mbrohet. Goro tregoi që mbetet një ushtarak i bindur i shkollës ushtarake të Enverit, që rri gatitu para eprorëve të tij, që nuk ka një personalitet të tij, që mendon se fiton më shumë duke i shkuar në zyrë një deputet dhe një biznesmen, që i kërkojnë favore në kurrizin tonë, sesa t’u shërbejë njerëzve që e zgjodhën.

Më 14 gusht, ju keni vendosur të mbani një miting në Himarë, çfarë synoni të arrini?
Goro, tani që ka rënë në hall, gënjen lart e poshtë duke thënë që projektin e Himarës vetëm 5 veta e kundërshtojnë, se të tjerët e duan dhe po çon njerëz shtëpi më shtëpi që të kërcënojnë himarjotët të mos vijnë në miting. Ka falsifikuar firmat e banorëve, të cilat i kishte mbi tavolinë studioja e projektimit Papajani. Ato janë firma që na janë marrë për prezencën në mbledhje, jo se ne jemi dakord me projektin. Si mund të jesh dakord të të grabisin dhe të të përzënë nga toka jote?! Prandaj ne do t’u tregojmë në atë miting pushtetit vendor dhe atij qendror se jemi të bashkuar, të vendosur dhe, mbi të gjitha, jemi shumë. Aty do t’u bëjmë një thirrje të fundit që ta anulojnë atë plan. Nëse nuk do ta bëjnë, pastaj do t’u drejtohemi rrugëve ligjore.

Ju thatë se jeni thjesht një banor i Himarës, që do të dëmtoheni nga ky plan, duke qenë një biznesmen i suksesshëm, si ka mundësi që po investohen kaq shumë për një shtëpi të vjetër të babait?
Kjo është një pyetje që ma bëjnë shumë veta. Ajo është shtëpia ku Neranxajt kanë jetuar me shekuj, aty nuk është thjesht vlera materiale, por vlera afektive, aty janë rrënjët e mia, historia ime ndër breza, si një ndër copëzat e historisë së Himarës. Nga ana tjetër, duke e ditur se ata njerëz që jetojnë aty nuk kanë mundësitë që kam unë për të sensibilizuar mbi problemin, po luftoj kaq shumë. Ndërkohë jam zgjedhur drejtor ekzekutiv në shoqatën Komuniteti Himarjot dhe në këtë cilësi, por edhe si biznesmen, kam bërë takime me njerëz të rëndësishëm të diplomacive të huaja për problemin e Himarës, që t’i vë në dijeni dhe të këshillohem edhe me ta. Po ju them se të huajt skandalizohen kur e dëgjojnë këtë histori. Ata më thonë që vetëm të çmendurve mund t’u shkojë në mend të përzënë një komunitet të tërë nga toka e tyre, po na rikthehen skenarët e Hitlerit, ky është skandal!

Po rrugë ligjore do të ndiqni?
Pas mitingut, nëse nuk do të ketë reflektim, do t’u futemi rrugëve ligjore dhe jemi të vendosur si komunitet të çojmë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e skenarit të zhbërjes së Himarës. Mbrapa hekurave do të shkojnë të gjithë ata kriminelë, të cilët kanë firmosur për të na grabitur dhe përzënë./panorama
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: