TIRANË- Një biznes është grabitur pasditen e sotme në autostradën Tiranë-Durrës nga dy persona të armatosur  dhe të kamufluar, të cilët kanë kërcënuar punonjësit duke marrë xhiron ditore. Sipas informacioneve, grabitja ka ndodhur rreth orës 16:00 në ndërtesën e kompanisë “Neranxi”, pak kilometra larg nga Tirana.

News24 dhe BalkanWeb sjellin pamjet e kamerave të sigurisë, ku duken qartë dy autorët, të cilët pasi kanë qëlluar rojën e objektit me një skop bejsbolli, kanë kërcënuar punonjësit dhe kanë kontrolluar të gjithë katin e parë për të gjetur paratë, nga ku kanë mundur të marrin 1 milion lekë të vjetra.

Grabitësit lëvizin gati-gati të qetë në ambientet e kompanisë. Roja i objektit disa herë është afruar por pas kërcënimeve, (një prej autorëve mban në dorë një dru dhe tjetri armë) largohet me shpejtësi. Autorët më pas hipin në një automjet tip “Benz” dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Nga hetimet e policisë ka rezultuar se autorët përdorën makinë me targa të vjedhura. Mjeti me të cilin u larguan autorët kishte të vendosura targat e një mjeti tjetër, që i përkasin një fuoristrade “Benz ML”. Ndërkohë në video duket se grabitësit mbajnë paruke dhe mjekra false.

Gazetari Spartak Koka raportoi se dy persona nën kërcënimin e armëve kanë hyrë në katin e parë të ndërsesës, ku ndodhet marketi i firmës dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur xhiron ditore të biznesit, një shumë që mendohet rreth 1 milion lekë të vjetra. Forcat e Policisë së Tiranës kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer të gjitha procedurat hetimore dhe kanë marrë në pyetje punonjësit e kompanisë që ndodheshin të pranishëm gjatë grabitjes.

Grupi hetimor ka marrë edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së vetë objektit për të bërë të mundur identifikimin e dy autorëve.

Dy autorët pas grabitjes kanë lëvizur fillimisht më këmbë, më pas kanë hipur me shpejtësi në një “Benz” ngjyrë gri pa targa, që qëndronte pak më larg. Automjeti drejtohej nga një person i tretë.

Nuk është hera e parë që ky biznes bëhet shënjestër e grabitësve. Rreth 9 muaj më parë, nga kjo kompani u grabit një shumë prej rreth 2.5 mln lekësh të vjetra.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: