Detaje të reja zbulohen në lidhje me supergrabitjen e Rinasit të ndodhur më 9 prill në pistën e aeroportit të Rinasit ku dyshohet se u morën rreth 10 mln euro.

Gazetarja Klodiana Lala ka mundur të kontaktojë me telefon pronarin e servis “Genti” që ndodhet në rrugën e vjetër Elbasan-Rrethrrotulimi i Bradasheshit, aty ku dyshohet se u modifikua enkas për grabitjen furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” dhe sjell dëshminë e tij për “BalkanWeb”.

Pronari i servisit, shtetasi Gentian Sharra ka konfirmuar se servisin ia kishte dhënë me qira shtetasit Eldi Çala.

“Nuk kisha shumë punë dhe ia dhashë me qira shtetasit Eldi Çala. Nuk kisha kontratë noteriale me të. Nuk kam dijeni për aktivitetin e paligjshëm që është kryer në këtë servis”,- ka thënë ai.

Ky servis, siç tha gazetarja Lala është i kyçur tashmë dhe konsiderohet provë materiale për prokurorinë dhe policinë. Po ashtu edhe një lokal ngjitur me servisin, shumë i populluar më herët është boshatisur dhe brenda tij mund të gjesh vetëm një kamarier, i cili thotë se nuk ka dijeni për ngjarjen.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb