Një grabitje spektakolare ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Muzeun Renoir në Cagnes-sur-Mer, në jug të Francës. Dy persona kanë hyrë me forcë në muzeun kushtuar piktorit të njohur francez impresionist Pierre-Auguste Renoir dhe kanë arritur të marrin katër vepra arti.

Sipas kryetarit të bashkisë së Cagnes-sur-Mer, Bryan Masson, vlera e parashikuar e veprave të vjedhura shkon në rreth 9 milionë euro.

Alarmi i muzeut u aktivizua në orën 05:48 të mëngjesit, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë, në orën 05:53, policia bashkiake mbërriti në vendngjarje. Autorët, të identifikuar përmes kamerave të sigurisë, u larguan me vrap nga muzeu.

Gjatë arratisjes, grabitësit braktisën njërën prej veprave të artit që kishin marrë. Ndërkohë, policia bashkiake dhe ajo kombëtare janë angazhuar në vendngjarje dhe kanë nisur kërkimet për kapjen e autorëve.

Kryebashkiaku Bryan Masson e cilësoi grabitjen si një sulm ndaj historisë dhe trashëgimisë kulturore të Cagnes-sur-Mer, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së veprave të artit.

“Sulmi ndaj Muzeut Renoir është sulm ndaj një pjese të historisë dhe trashëgimisë së Cagnes-sur-Mer”, deklaroi Masson, duke shtuar se autoritetet do të vënë në dispozicion të gjitha burimet e nevojshme për forcimin e sigurisë së muzeve.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e dy autorëve, ndërsa policia po punon për të zbardhur të gjitha rrethanat e grabitjes dhe për të rikuperuar veprat e tjera të vjedhura.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb