Grupi i Grave Deputete të Partisë Socialiste ka reaguar pas arrestimit të djalit të deputetit socialist Rexhep Rraja. Në një deklaratë për mediat, grupi i grave deputete të PS-së rithekson mbështetjen për Prokurorinë në hetimin deri në fund të së vërtetës për dhunimin e Xhisiela Malokut.

Ndërkaq ky grup i bën thirrje kolegeve të opozitës që të ndalin dhunimin publik të vajzës pët motive politike.

“Na vjen shume mirë që prokurorja e çështjes është një grua, e cila sot ka të gjithë solidaritetin tonë në kryerjen e detyrës si edhe inkurajimin tonë të plotë, për t’i shkuar deri në fund çështjes në fjalë. Duke i rezistuar çdo ditë prej kohësh tanimë, vulgut politik e mediatik dhe duke treguar guxim e vendosmëri në ndarjen e drejtësisë nga politika, Prokuroria po jep në vijimësi sinjale shumë inkurajuese për shqiptarët që duan drejtësi.
I bëjmë përsëri thirrje kolegeve deputete të opozitës të ndikojnë që të ndalet dhunimi publik i vajzës për motivet e politikës së dëshpëruar opozitare. Po ashtu u shprehim atyre keqardhjen për deklarata e akuza të ulëta, që shkojnë në drejtim krejt të kundërt me interesin e Xhisielës dhe të drejtësisë për të. Për ne drejtësia për vajzën është mbi gjithçka. Për ne ligji është mbi gjithkënd”, deklarojnë deputetet e PS.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb