TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shkalla e qytetërimit të një shoqërie lidhet me barazinë gjinore.

Teksa u ndal tek roli i gruas shqiptare në vendimmarrje, kreu i Ekzekutivit pohoi se ka ende punë për t’u bërë në këtë drejtim.

Gjatë tryezës me temë “Gratë Shqiptare në rrugën drejt politikës dhe vendimmarrjes” me fokus gratë në pushtetin vendor, organizuar nga Aleanca Gjinore, Rama tha se është domosdoshmëri për të kuptuar vlerën e barazisë gjinore.

“S’jam feminist, por duhet domosdoshmëri për të kuptuar vlerën dhe për të kuptuar rëndësinë që ka rritja e barazisë gjinore. Nga shprehjet e mira më të preferuara është ajo e Margaret Theçer: “Nëse keni për të thënë diçka pyesni një burrë, e nëse keni për të bërë diçka pyesni një grua”. Unë jam i bindur se sa më shumë gra dhe vajza të përfshihen në jetën publike, aq më mirë do të shkojnë gjerat. Këtë e kam dhe nga eksperienca personale. Burrat dallohen për aftësinë që kanë për të thënë gjerat për të thënë gjerat kur justifikohen pse si kanë bërë gjerat. Gratë justifikohen shumë më pak e bëjnë shumë më shumë.”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama shtoi se në këtë periudhë të fundit është bërë përparim i jashtëzakonshëm. “Vetëm disa vite më parë situata e shifrave ishte shumë shqetësuese sesa është sot. Pavarësisht se dhe sot nuk mund të themi se jemi aty ku duhet. Jo thjesht për ti dhënë grave një pozicion të barabartë me burrat, por për të përfituar diçka nga kjo shoqëri gjinore. Shkalla e qytetërimit dhe zhvillimit të një vendi është e lidhur me barazinë gjinore.”, tha kryeministri.

Rama tha se është hapur një kapitull i ri që lë shumë më tepër vend për optimizëm në këtë proces sepse janë rrëzuar disa mure që i rezistonin kohës prej një periudhe të gjatë. “Dhe unë jam dëshmitar i vështirësisë që ka patur ky proces pasi në parim, të gjithë kanë qenë dakord për më shumë vend për gratë në jetën politike, publike. Por kur vinte puna për të bërë zgjedhjet e duhura, muri ishte shumë kokëfortë. Ne u desh ta vendosnim në ligj barazinë gjinore për zgjedhjet e këshillave bashkiak, pasi ishte një përpjekje që gjithmonë dështonte. Gruaja e parë në parlament hyri në 1919. Në jetën tonë të shkurtër parlamentare, procesi ka qenë shumë më i shpejtë dhe sot faktikisht janë vendosur disa pika referimi që nuk mund të zhbëhen më. Për të shkuar më tutje do të duhet një kohë. Nuk do të jetë e thjeshtë, pasi konkurrenca është bërë më e drejtpërdrejt dhe prania e grave më e qenësishme. Nuk bëhet fjalë për të krijuar hapësira bujarisht por për konkurrencë reale”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se ka ende shumë gjëra për të bërë në jetësimin e legjislacionit. “Ligjet janë, ne i kemi, por jetësimi i tyre do kërkojë kohën e vetë. Kemi një probleme me statistikat e papunësisë përsa i përket grave dhe burrave. Një grua paguhet shumë më pak se një burrë për të njëjtën punë. Jemi munduar që të hapim një hapësirë të re në programin e fondit të nxitjes së punësimit. Aty ka më shumë iniciativa për gratë dhe vajzat. Burrat e kanë kontrolluar gjithë procesin e tranzicionit dhe kjo i bën drejtpërdrejt me përgjegjësi. Strategjia kombëtare e punësimit parasheh që fondi në mbështetje të grave sipërmarrëse që menaxhojnë sipërmarrje të vogla që shkojnë duke u rritur është një fond që e kemi krijuar ne në 2014 dhe duam ta fuqizojmë”, tha ai.

LESKAJ: QEVERIA PO I VË GRATË NË ROLIN E “SHOFERIT”
Nënkryetarja e parlamentit, Valentina Leskaj nëkonferencën me temë “Gratë drejt politikës dhe vendimmarrjes”, vlerësoi rezultatet e qeverisë për përfshirjen e grave në politikë, ku vetëm në kabinetin qeveritar sipas saj, ka 7 ministre.

Më tej Leskaj tha se sfidë mbetet krijimi i qëndrueshmërisë në rezultatet e arritura për gratë në vendimmarrje.

“Ne e dimë që vendi nuk mund të bëjë përpara nëse gjysma e popullsisë është e nënvlerësuar. Kur ka pabarazi kthehet në një problem jo vetëm për gratë. Çështja e fuqizimit të grave është shumë më komplekse, nuk ka zhvillim të qendrueshëm pa integrimin e grave”.

Duke u ndalur tek shembujt e vendeve të zhvilluara, Leskaj tha: “Nëse duam rritje ekonomike le ti vëmë gratë në rolin e shoferit…Vendet europiane që kanë standard të lartë jetese kanë përfaqësim më të mirë edhe të grave”.

“Është e rëndësishme ti integrojmë gratë, jo thjsht në tregun e punës por për zhvillimin e qëndrueshëm në vend. 75% të grave që jetojnë në varfëri janë ato që nuk kanë as arsim të mesëm, janë të paarsimuara. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë derisa ato të mos jenë viktima të dhunës, derisa të kenë të njëjtat mundësi, pavarësisht ku jetojnë. Reforma territoriale do jetë një instrument i fortë për ta zhdukur këtë dallim”,- shtoi deputetja e PS.

(ma.ar/ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb