Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po fiton në dinamikë duke rritur shpresat për një marrëveshje për njohje reciproke, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këto komente ai i bëri në Mynih, pas takimit më të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Para se të takonte Thaçin, ambasadori Grenell ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pas dakordimit që ishte arritur rreth marrëveshjes për linjën ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, Thaçi tha se tani do të ketë angazhime të reja për linjën hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shtrihet edhe në nivele tjera rajonale e ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se delegacionet nga Kosova dhe Serbia, do të nënshkruajnë edhe zyrtarisht marrëveshjen për linjën hekurudhore, në Mynih, të premten.
“Do të punojmë maksimalisht si institucione të Republikës së Kosovës, gjithë spektri politik, shoqëria civile, mediat, të gjithë njerëzit që të arrijmë një marrëveshje finale si dy vende të pavarura dhe sovrane mes Kosovës dhe Serbisë. Është fat që kemi një njeri dinamik (Richard Grenell) i mbështetur plotësisht nga Shtetet e Bashkuara”, tha Thaçi.

Sipas tij, përparimet në dialog po ndodhin në kohën kur të tjerët vetëm i kanë imagjinuar.
“Pra, për të investuar në paqe, progres, zhvillim ekonomik, për një jetë më të mirë të qytetarëve të Kosovës. Natyrisht aspirata e Kosovës është që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, por edhe OKB-së”, theksoi ai.

Ndërkaq në lidhje me kërkesën e përsëritur nga Grenell për heqjen e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Thaçi tha se Kosova do të ndërmarrë veprime ditëve të ardhshme, por sipas tij, veprimet e Prishtinës nuk do të jenë bllokuese të procesit. Ai tha se nën lidershipin e ambasadorit Grenell, dialogu po fiton në një dinamikë të re. Për këtë çështje ai falënderoi edhe presidentin amerikan, Donald Trump.

Takimet e ndara që Grenell ka zhvilluar në Mynih mepresidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vijnë një ditë para fillimit të Konferencës së Sigurisë, ku parashihet të marrin pjesë krerët e më shumë se 40 vendeve të botës, përfshire edhe liderë të Bashkimit Evropian dhe ministra e ekspertë nga vendet e BE-së. Një panel i veçantë i kushtohet edhe Ballkanit Perëndimor.

Para takimit të Mynihut, kryeministri Kurti e ka ftuar presidentin Thaçi që të koordinohen, mirëpo ky i fundit kishte njoftuar se ndodhej rrugës për në Mynih, kështu që ai takim koordinues për politikën e jashtme kosovare nuk ishte mbajtur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: