Gazetari Artan Hoxha nxori detaje nga aktiviteti i grupeve kriminale shqiptare në trafikun e drogërave të forta prej Amerikës Latine në Europë.

Hoxha tha për ABCNews se në studio se tashmë grupet shqiptare kanë zëvendësuar aktivitetin e grupeve mafioze italiane duke marrë gjithçka në dorë sa i përket sjelljes së kokainës nga Amerika Latine në Europë.

Gazetari tha se fillimisht mafia italiane si Ndragheta, Sacra Corona Unita apo të tjerë, kishin kontraktuar shqiptarët si elementë që ofronin shërbime dytësore, por me kalimin e kohës këta të fundit morën situatën në dorë duke qenë tashmë “violinë e parë” në këtë treg, madje duke zëvendësuar italianët.

“Antimafia italiane ka kohë që thotë nëpër raporte se tashmë shqiptarët kanë marrë në dorë aktivitetet që më parë i bënin grupet mafioze italiane. Fillimisht kanë qenë si nënkontraktorë, por tani kanë dalë më vete dhe kanë zëvendësuar aktivitetin e grupeve mafioze italiane në trafikun e kokainës. SPAK është i zënë me dosje të vjetra, por tani në treg janë të tjerë, më të rinj që drejtojnë aktivitetin e drogës”, tha Hoxha. Po ashtu ai tha se trafiku i drogës nga Amerika Latine në Europë dhe Shqipëri drejtohet dhe organizohet nga personazhe me banim në Dubai.

“Ata rrinë atje pasi ruhen dhe nuk mund të goditen nga kundërshtarët, por edhe nuk ekstradohen”, tha Hoxha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb