Gazetarja Klodiana Lala, pas kthimit të saj, bashkë me grupin e xhirimit të News24, nga veriu i Kosovës, ku Banjska u kthye në një arenë lufte, mes një grupi kriminal që sulmoi policinë e Kosovës, tregoi detaje nga ngjarja e rëndë. Nga sulmi në fjalë humbi jetën një efektiv i Policisë së Kosovës dhe u plagos një tjetër.

Lala e ftuar në emisionin “Open” në News24 deklaroi se rreth 30 persona të armatosur, arritën që t’i shpëtonin policisë, ndërsa janë të armatosur me pajisje të sofistikuara. Mes të tjerash ajo tha se nuk përjashtohet mundësia që ata të sulmojnë sërish, pasi nuk dihet nëse këta persona kanë dalë nga territori i Kosovës.

“Në raport me atë se çka ka ndodhur mëngjesin e së dielës, situata është më e qetë. Policia ka kontroll mbi këtë zonë. Një pjesë e personave të armatosur, janë arratisur. Mendohet se janë 30 persona në arrati. Situata është jo vetëm kritike, por shqetësuese. Ata janë të armatosur mirë, me armatime të vitit 2022. Ka pasur dhunë, por jo si në këtë situatë që çoi te vrasja e policit. Anëtarë të grupit kriminal, apo terroristë, mund të futen serish në veprim, përsa kohë janë në arrati. Nuk ka dijeni nëse ata persona janë brenda apo jashtë Kosovës. Në orën 2 e 43 të mëngjesit të së dielës, forcat e policisë së Kosovës janë konstatuar se ishin vendosur në Banjskë dy kamionë pa targa që kishin bllokuar rrugë. Në atë moment policët janë gjetur në një sulm të paprecedentë, me armë zjarri dhe granata, ku për pasojë ka vdekur polici.

Banjska është një fshat i thellë, që ka dy degëzime, që të çon në Jarinjë dhe në manastirin e Banjskës, atje ku ishte vendosur grupi dhe armatimi. Ajo që u shfaq është një pjesë e arsenalit të armëve, por kishte dhe dronë, apo dhe pajisje kundër mjegullës. Këto elemente kriminale ishin në manastir. Policia ka tentuar me të gjitha kushtet që të bëjë thirrje për dorëzimin e grupit të armatosur. Në manastir ndodheshin dhe 40 pelegrinë të paqes. Pjesëtarët e armatosur mund të merrnin dhe peng pelegrinët. Këta pjesëtarë nuk i janë përgjigjur thirrjes, por iu kundërpërgjigjën me armë zjarri. ndërkohë një person u gjet i pajetë sot në këtë zonë, ndërsa 6 persona janë të plagosur në spital në Novi Pazar. Në këtë fshat është e pamundur që të kalohet, pasi mendohet se zona është e minuar dhe mund të bëhet rrezik. Në këtë zonë shkojnë trupa të specializuar për të bërë çminimin e zonës. Më është konfirmuar se ky aksion është duke vijuar dhe nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë të tjerë persona të vrarë në këtë zonë. Ministri i Brendshëm tha se përveç arsenalit, tha se janë gjetur harta dhe dokumente, që flasin dhe dëshmojnë një sulm të organizuar, që është organizuar përgjatë muajve të fundit. Ai nuk dha shpjegime se cili do të ishte qëllimi final dhe se kush zona do të ishin objekt i sulmit. Njëri prej të arrestuarve është pjesë e një organizate terroriste. Një prej të akuzave është dhe Millan Radoiçiç, nënkryetari i Listës Serbe.”, tha Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb