Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në një fluturim të “Air France”, me nisje nga Parisi dhe destinacion final Gjenevën në Zvicër.

Sipas The Times, dy pilotët e këtij fluturimi janë përleshur me njëri-tjetrën, me autoritetin e aviacionit që ka vendosur më pas t’i pezullojë të dy.

Airbus A320 po ngjitej pas nisjes nga aeroporti Charles de Gaulle kur bashkë-piloti refuzoi të kryente një udhëzim nga kapiteni. Njëri prej të dyve ka goditur tjetrin dhe sipas raportimit të gazetës La Tribune janë kapur prej fyti.

Sipas një raporti, i cili u vërtetua nga pilotët e tjerë, njëri nga burrat i përplasi në fytyrë kolegut të tij një tabelë të rëndë. I alarmuar nga zhurma e përleshjes, ekuipazhi i kabinës u kërkoi pilotëve t’i linin të hynin në kabinë.

Incidenti i rëndë, bëri që gjatë fluturimit një nga stjuardesat e kabinës të qëndronte në kuvertën e fluturimit, me avionin që më pas u ul normalisht në Zvicër.

Ndërkohë, “Air France” tha se sjellja e tyre ishte krejtësisht e papërshtatshme.

Incidenti ka ndodhur në qershor, por u bë publik disa ditë pasi “Air France” u akuzua nga agjencia shtetërore e aksidenteve ajrore dhe sigurisë – Bureau d’Enquetes et d’Analyses (BEA) – për tolerimin e një kulture të shkeljes së rregullave nga pilotët.

BEA tha se ekuipazhet po rrezikonin avionët duke “përjashtuar veten” nga procedura standarde.

Agjencia publikoi katër raste, duke përfshirë një ekuipazh që fluturonte mbi Afrikë që nuk arriti të mbyllte një motor avioni kur mijëra litra karburant po rridhnin brenda krahut me të cilin ishte lidhur.

Përleshja ishte një nga disa incidente shqetësuese që nuk u përmendën në raportin zyrtar. Dy të tjerë janë shfaqur që atëherë, duke përfshirë ekuipazhet që kanë harruar të ndezin motorët e tyre të dytë përpara se të nisen.

Në shkurt, pilotët e një “Airbus A321” kuptuan përpara se të rreshtoheshin në pistë se kishin lënë pas dore ndezjen e motorit të dytë. Atë muaj pilotët e një Airbus A350 të nisur për në Tel Aviv vunë re vetëm se nuk e kishin ndezur motorin tjetër kur ata po fillonin fluturimin e tyre pasi u rreshtuan në pistën e Charles de Gaulle. Ata shtynë përpara levat e shtytjes dhe motori joaktiv nuk u përgjigj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: