Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka kritikuar ashpër mënyrën se si po menaxhohet Tirana. Në një deklaratë për mediat, Muçollari tha se ditët e nxehta të gushtit kanë nxjerrë në pah problemet e qytetit, të cilat sipas tij janë mbuluar përmes propagandës dhe investimeve në fasada.

“Gushti nxori zbuluar propagandën e mashtrimit. Tirana ka sot pamjen e një qyteti të dështuar në menaxhim”, u shpreh ai.

Sipas Muçollarit, disa zona të kryeqytetit janë përballur me probleme të furnizimit me ujë, ndërsa në Kombinat janë denoncuar raste ku furnizimi ka zgjatur vetëm rreth 20 minuta në ditë. Ai kritikoi gjithashtu situatën me mbetjet urbane, duke pretenduar se kazanët janë të tejmbushur dhe mbeturinat kanë përfunduar në rrugë, duke krijuar edhe probleme me erën.Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me zjarret në periferi të Tiranës. Muçollari deklaroi se dhjetëra hektarë pyje janë djegur dhe se reagimi i autoriteteve ka qenë i vonuar.

Deklarata e plotë:

Tirana ka sot pamjen e një qyteti të dështuar në menaxhim, si rezultat i qeverisjes së keqe, i prioriteteteve të gabuara dhe korrupsionit. Ditët e nxehta të gushtit treguan të vërtetën që mbahet e fshehur me propagandë e tentohet të mbulohet nga fasadat.
Shumë zona të Kryeqytetit nuk morën as furnizimin e zakonshëm me ujë. Në Kombinat pati raste të denoncuara në publik, ku ujë kishte vetëm 20 minuta në ditë.
Kazanat e mbeturinave janë plot dhe mbetjet kane pushtuat rrugët që kutërbojnë nga era e padurueshme.
Dhjetra hektarë me pyje, nga ajo kurorë e gjelbëruar që i ka mbetur qytetit u dogjën dhe serish reagimi i shtetit ishte i vonuar.
Ndërkohë, për 6 muajt e parw të këtij viti, nga janari në qershor, janë mbledhur në shifra rekord, 1.6 miliardë euro taksa nga ndërtimi. Pothuajse sa për gjithë vitin 2024, që ka shënuar kulmin e kësaj veprimtarie. Pra vetëm në 6 muaj janë dhënë afërsisht 2 milionë metër katrorë ndërtim.
Ku shkojnë gjithë këto taksa?
Se shkolla të reja nuk kemi, ndërkohë që pritet të nisë viti i ri me të njëjtën praktikë me klasa me shumë nxënës e mësim me 2 turne. As përmirësim në furnizim me ujë nuk ka.As qytet më të pastër.
Sipas të dhënave të Open Data Albania për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, Bashkia Tiranë kryeson në të gjithë vendin me rreth 1.8 miliardë lekë fond limit në tendera të kategorizuar me “Red Flag”. Indikator ky qe tregon risk per korrupsion.

Ky qytet i pabanueshëm, pa ujë të rrjedhshëm, me mbeturina rrugëve, dhe me zjarre në periferi, vijon pra t’u shërbejë vetëm klienteve te qeverise. Jo qytetarëve.
Pasi kuptohet se biznesin e ndërtimit në vend e ka monopol një njeri, Edi Rama.
Kjo po ndodh në qendrën më të madhe të vendit ku jetojnë më shumë se 1/3 e popullsisë. Nuk mund t’u lihet jeta në dorë disa të korruptuarve që e kanë mendjen vetëm të shtojnë pasurinë me trojet dhe hapësirat në qytet.
Tirana meriton ndryshim.
Kjo është cka mendojnë ata mijra protestues që dalin prej 80 ditësh, me sakrificë dhe heroizëm, kundër korrupsionit dhe kleptoregjimit. Zëri i tyre thotë të vetmen gjë që e shpëton Shqipërinë: Rama jepe dorëheqjen!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb