* Norma bazë e interesit mbetet1, 25%. Rritje në shërbim e ndërtim, rënie në bujqësi

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një konferencë për shtyp tha se norma bazë e interesit do të mbetet e pandryshuar 1,25%.

Duke folur për përmirësim të aktivitetit ekonomik në vend, Sejko tha se ka pasur rritje në shërbim dhe ndërtim, ndërsa është vërejtur rënie në bujqësi.

Sipas tij, “Inflacioni ka pasur rritje progresive gjatë 3 mujorit të dytë. Në fund të qershorit inflacioni u rrit 1,2% si pasojë e rritjes së çmimeve dhe qerave”.

Guvernatori shtoi se Banka e Shqipërisë ka vijuar me politikat e saj monetare nxitëse.

“Vërejmë përmirësim të bilanceve financiare të bizneseve dhe familjare, zhbllokim të tregut të ndërtimit. tregjet financiare janë të qeta, ka likuiditet të bollshëm”.

Sejko u shpreh optimist për zhvillimet ekonomike në të ardhmen.

“Balanca e rrezikut vijon të mbetet në kahet e poshtme. Trajektorja pozitive e zhvillimeve ekonomike do të ruhet edhe në të ardhmen”, u shpreh Guvernatori.

Ai i është përgjigjur edhe interesit të gazetarëve në lidhje me lajmet e fundit, se shuma e vjedhur në thesarin e BSH mund të jetë më e madhe. Sejko tha se shuma e konfirmuar është 713 mln lekë.

“Shuma e vjedhur është ajo që është inventarizuar, deklaruar. Shifër e rikonfirmuar ajo e 713 mln lekëve të vjedhura. Çdo spekulim tjetër që do të kërkonte të bënte lajm do donte të prishte imazhin e BSH-së”, deklaroi Sejko.

Guvernatori ka folur edhe për reformën në drejtësi dhe ndikimin e saj në ekonomi. Sejko tha se konsensusi është një sinjal pozitiv dhe se shpreson që edhe implementimi të ecë në ata hapa.

“Shpresojmë që edhe implementimi të ecë me hapa konstruktivë si miratimi i draftit kushtetues”, u shpreh Guvernatori Sejko.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: