*Haki Çako raporton në Komisionin e Sigurisë: Policia nuk ka pajisje përgjimi, prokuroria po heton

TIRANE – Pas seancës dëgjimore me kreun e SHISH-it, në Komisionin e Sigurisë mbërriti Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, për t’iu përgjigjur deputetëve lidhur me të ashtuquajturën pajisje përgjimi. Ai tha që në nisje se nuk ka dijeni për përgjimet dhe se ka vënë në dispozion të hetimit për këtë pajisje gjithë burimet e nevojshme policore. Çako shtoi se pritet që konkluzionet t’i japë prokuroria. Kreu i policisë theksoi se i ka vënë në dispozicion prokurorisë të gjithë dokumentacionin përkatës për të hedhur dritë mbi këtë veprimtari.

FLAMUR NOKA: Kemi thirrur edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit zotin Haki Çako, që të hedhim dritë mbi këtë çështje që të jemi transparent.

HAKI ÇAKO: Unë deklaroj në përgjegjësinë time të plotë që policia në të gjithë veprimtarinë ka kryer detyrat e saj në kuadër të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë. Jam mese i qartë se gjatë gjithë veprimtarisë së saj nuk ka pasur, nuk ka dhe bazuar në ligj nuk do ketë pajisje përgjimi, nuk ka kryer dhe nuk kryen përgjime.

FLAMUR NOKA: Kaq mendoni ju se ishte e nevojshme të sqaronit…

HAKI ÇAKO: Përgjigjem për çdo gjë që më lejon ligji. Nëse ka filluar procedim penal gjithçka do hetohet.

FLAMUR NOKA: A ekziston në dijeninë tuaj një pajisje e tillë përgjimi, apo lokalizimi e futur në territorin e Shqipërisë dhe në pronësi të kujt është ajo? Nëse ekziston a keni dijeni kush e ka sjellë, në çfarë rrugësh ka hyrë dhe a është zbatuar ligji dhe procedurat doganore për këtë pajisje.

HAKI ÇAKO: Prej disa ditësh në lidhje me këtë fakt ka filluar procedim penal dhe për të cilin jam vënë në dijeni. Çdo hetim duhet ta nxjerrë hetimi dhe prokuroria. Që në momentet kur u vura në dijeni vura në dispozicion burimet dhe policinë për ti shërbyer hetimit.
FLAMUR NOKA: Tani unë ju pyeta a ekziston pajisja e shumë përfolur, keni dijeni apo jo? dispononi një pajisje të tillë.

HAKI CAKO: Policia e Shtetit nuk ka pasur as ka në inventarin e saj pajisje të përgjimit të telekomunikacionit. Policia e Shtetit ka mjetet dhe metodat e veta, gjurmimi është koncept tjetër. Policia e Shtetit nuk ka një pajisje të përgjimit telefonik.

ASLLAN DOGJANI: A ka qenë një pajisje në Vlorë dhe është përdorur për trajnimin e punonjësve të policisë? Ku ndodhet tani aktualisht kjo pajisje dhe në sa vende është vendosur kjo pajisje deri tani? Nëse keni bërë trajnime, kush i ka trajnuar punonjësit e policisë dhe cili është roli Interforce në këtë trajnim. Përse nuk ja dorëzoni prokurorisë së përgjithshme këtë pajisje, pasi është bërë thirrje për ta vënë në dispozicion vetë vonesa më bën të dyshoj që mund të ndërhyhet deri në zhdukjen e gjurmëve të përgjimeve në aparaturën që është përdorur nga ana juaj…

PAULIN STERKAJ: kemi fatin e mirë që kemi një drejtor policie që i ka kapur të gjitha shkallët e karrierës. Nuk mund të shprehet më tepër sepse i bëhet barrë dhe prish hetimin. Nuk është si Ajazi që thotë cenohet siguria kombëtare dhe nuk ka informuar kryeministrin. Ky është drejtori i përgjithshëm i policisë që e njeh mirë ligjin. Mendoj se këtu mbarojnë pyetjet. Ky thotë s’ka pajisje, kaq informacion kemi. Ne thirrën prokurorin e përgjithshëm nuk erdhi, sepse çështja është në hetim. Ju keni bërë një akuzë publike, por nuk keni asnjë lloj materiali. Drejtori i përgjithshëm nuk mund të përgjigjet për çështje teknike të kësaj situate.

FLAMUR NOKA: Më vjen mirë zoti Stërkaj për avokatinë që i bën drejtorit. drejtori nuk është thirrur këtu i akuzuar, që ti nevojitet një avokat në krah. e kemi thirrur për të na informuar në një seancë dëgjimore.

HAKI CAKO: E gjithë veprimtaria e Policisë së Shtetit është e sanksionuar në legjislacion. Por mbi të gjitha është ligji për Policinë e Shtetit, ligji për Policinë Gjyqësore. E gjithë kjo veprimtari mbikëqyret dhe drejtohet nga prokuroria, i cili është institucioni i vetëm i procedimit penal. Unë kam vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet, të gjithë njerëzit në strukturat e Policisë së Shtetit. I janë vënë prokurorisë në dispozicion i gjithë dokumentacioni përkatës për të hedhur dritë mbi këtë veprimtari. Policia e Shtetit nuk ka patur inventar, nuk ka administruar, as në përdorim, as në administrim dhe as në inventar pajisje të tillë. Më duhet të ritheksoj se kontakti, mbështetja, garancia e tyre është deri në elementët më konkretë. Policia nuk ka pasur nuk ka dhe nuk ka se si të ketë pajisje në kundërshtim me ligjin. Ne jemi të hapur për çdo lloj hetimi.

FLAMUR NOKA: Monitorimi është në bazë të ligjit, pastaj e bëjnë partnerët. Përgjigjuni pyetjeve të zotit Dogjani..

HAKI ÇAKO: Kam deklaruar në detaje çdo gjë që mund të thuhet.

FLAMUR NOKA: A mund të na thoni për çfarë ka hapur çështje penale prokuroria?

HAKI ÇAKO: Mund të pyesni prokurorin

NOKA-KOLEGEVE: Çfarë e keni gjithë këtë nxehje, sikur ju pickon gjarpri? Kjo është seancë pyetje-përgjigje, s’po ju bëjmë gjyqin.

ASLLAN DOGJANI: E di çfarë duhet të jetë sekret hetimi, kam punuar në polici dhe e di. Ne nuk mund të diktojmë përgjigjen e tij, por jam i paqartë pse drejtori futet në një guackë duke iu shmangur transparencës ndaj publikut. Iu kam bërë pyetje për aparaturën s’ka lidhje me sekretin hetimor. Keni një aparaturë që e keni përdoruar për trajnim dhe kush janë specialistët që janë marrë me trajtimin e policisë. Ministri tha se kemi një aparaturë për gjurmimin e personave në kërkim ndërkombëtar, keni aparatura të tilla apo jo? Ne duhet të jemi transparent. Në lidhje me Interforcën a ka ajo një aparaturë të tillë?

HAKI ÇAKO: Zoti Dogjani në respekt të të qënurit koleg, këto që ju kërkoni janë pjesë e hetimit. Nuk po mbyllem, por po ju ritheksoj se policia e shtetit. Policisë nuk i lejohet përgjimi i telefonave. Të gjitha të tjerat janë të administrua në dosje, cenon hetimin dhe më vë para përgjegjësisë ligjore.

ASLLAN DOGJANI: Ne jemi të pajisur me leje sigurie nëse doni, të ikin mediat dhe ne nuk i nxjerrim sekretet hetimore ashtu si e gjykon ti.

HAKI ÇAKO: Unë jam i thirrur nga ju, deklaroj çfarë konsideroj ligjore. Mos kërkoni gjëra që nuk ua deklaroj.

PJERIN NDREU: Përderisa prokuroria po heton mbi punën e tij, pozita e tij është pak specifike..

KELTIS KRUJA: Ju ishit më transparencë dashës kur kishim këtu kreun e SHISH. Ti përgjigjet pyetjeve sipas mënyrës së vetë.

LUAN RAMA: Ripërsëris ftesën për të qenë me etik. Nuk jemi palë, ca që janë me drejtorin e përgjithshëm dhe ca me drejtorin e Shërbimit. Zoti Drejtor i Përgjithshëm në një prononcim të presidentit është bërë thirrje të mos bëhet hetim duke aluduar se nuk kemi dashur ta vini në dispozicion pajisjen e përgjimit. Keni dijeni që ndonjë nga vartësit tuaj kanë hezituar të dorëzojnë gjithçka që prokuroria kërkon?

HAKI ÇAKO: Prej momentit që prokuroria ka kontaktuar me drejtorinë e Policisë së Shtetit ne kemi venë në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme, gjithçka që lidhet me këtë çështje. Në asnjë rast në përgjegjësinë time askush nuk është bërë pengesë nga strukturat e policisë. Përveç faktit që jemi vënë në dijeni të fillimit të një procedimi penal, kemi komunikuar me oficerë të policisë gjyqësore që janë marrë me këtë çështje. Askush nuk është bërë pengesë për hetimin e kësaj çështjeje. Jam mëse i bindur që prokuroria do të arrijë në një konkluzion, nëse ka ose jo përgjegjësi qoftë edhe për mua personalisht.

FLAMUR NOKA: Ju përmendni që është hapur një çështje hetimore nga prokuroria. Për çfarë është hapur kjo çështje hetimore zoti drejtor. Për çfarë çështje jeni thirrur, për çfarë është kjo çështje penale?

HAKI ÇAKO: Dosja hetimore është pasuri dhe e drejtë legjitime e prokurorisë. Unë nuk mund të bëj prokurorin.

KELTIS KRUJA: Unë nuk jam i qartë për ekzistencën ose jo të pajisjes. Pyetja ime është, një pajisje e tillë është përdorur nga policia shqiptare për trajnime dhe përgjime e gjurmime?

HAKI ÇAKO: Policia e shtetit të gjitha trajnimet, të gjithë veprimtarinë e saj, qoftë dhe atë të përgjimeve e ka bërë në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar. Ne nuk kemi patur dhe nuk kemi pajisje të përgjimit, çdo veprimtari tjetër është në përputhje me ligjin. Në lidhje me gjithçka aludohet, është administruar në dosjen penale.

FLAMUR NOKA: Ministri jot ka folur në një emision televiziv që ka një pajisje që ka ardhur për trajnim nga Interforce. Keni dijeni për ekzistencën e kësaj që ka folur ministri apo jo?

HAKI ÇAKO: Unë thashë atë që unë mendoj, nuk kam frikë nga asgjë. Për sa kohë ju deklarova që jam i hapur nuk nguroj të jem në përputhje të plotë me ligjin. Nuk besoj se jam këtu për të komentuar kërkënd, asnjë subjekt. Unë deklaroj përgjegjësinë time, unë thashë dhe them që policia nuk ka pasur dhe nuk ka një pajisje të tillë.

FLAMUR NOKA: Çështja është shumë e thjeshtë, ne besojmë se në këtë seancë dëgjimore me drejtorin e policisë morëm atë çka mund të na ofronte drejtori i policisë. Drejtori na tha se është hapur një çështje penale, por nuk na tha se për çfarë është hapur kjo çështje. Indirekt drejtori dhe ministri na thanë se kjo pajisje qenka përdorur nga një polici tjetër.

VISHO AJAZI NE KOMISION
Kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika bëri të ditur se kishte informuar kryeprokurorin Llalla për futjen në Shqipëri të një pajisjeje IMCI Cacher. Ai tha se presidenti i kishte kërkuar informacion mbi këtë çështje, ndërsa sipas tij, tagrin për të informuar kryeministrin e ka prokuroria, e cila duhet të konfirmonte informacionet.

Seanca dëgjimore nisi me kreun e SHISH-it në 10:00 dhe vijoi me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, e do të mbyllet me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb