Ish-kreu i Instituti i Shëndetit Publik, Besnik Jakaj, ka deklaruar se hantavirusi është i njohur prej dekadash dhe nuk përbën rrezik për pandemi, për shkak të transmetueshmërisë së ulët nga njeriu te njeriu.

I ftuar në emisionin Studio24, Jakaj u shpreh se situata aktuale nuk lidhet me infektime masive dhe se virusi është i pranishëm prej kohësh edhe në rajon.

“Hantavirusi njihet me dekada. Në Ballkan dhe Shqipëri është i njohur. Në Europë dhe Azi shfaqet si ethe hemorragjike. Deri tani nuk ka rrezik pandemie sepse numri i të infektuarve është shumë i ulët, por vdekshmëria është e lartë”, tha ai.

Sipas tij, ky është një virus i vështirë për t’u transmetuar mes njerëzve, gjë që e kufizon përhapjen e tij.

“Është virus i vështirë për t’u transmetuar nga njeriu te njeriu”, theksoi Jakaj.

Duke folur për kapacitetet institucionale, ai shtoi se strukturat shëndetësore në vend ndjekin protokollet ndërkombëtare dhe nuk kërkojnë masa të jashtëzakonshme.

“ISHP nuk ka çfarë masash të marrë. Jemi pjesë e organizatave ndërkombëtare si OBSH që monitorojnë shpërthimet dhe ndjekin protokollet përkatëse”, u shpreh ai.

Jakaj theksoi se menaxhimi i rasteve bëhet në bazë të situatës dhe simptomave, ndërsa nuk ekziston një protokoll specifik parandalues për këtë virus.

“Viruset trajtohen në bazë të simptomave. Nuk ka ngjashmëri me Covid-19. Ajo që kemi në dorë është ruajtja e higjienës personale”, tha ai.

Ai paralajmëroi kujdes të shtuar për personat që punojnë në ambiente të mbyllura apo të ekspozuara ndaj brejtësve.

“Njerëzit që punojnë me pastrimin e depove apo ambienteve nëntokë duhet të jenë të kujdesshëm, pasi mund të ekspozohen ndaj brejtësve”, përfundoi Jakaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb