Hapet dosja e ish-Sigurimit të Shtetit të një prej figurave më komplekse të historisë së kryeqytetit, ish-Prefektit të Tiranës (1940-1944), Qazim Mulleti, të cilin historiografia komuniste e portretizoi si tradhtar, agjent, kriminel dhe e anatemoi nëpërmjet propagandës në veprën artistike të regjimit, ‘Prefekti”, shfaqur gjatë shekullit të kaluar.

Hapja e dosjes që policia sekrete e regjimit totalitar ka krijuar për të, bashkë me çeljen e mundësive për rishikimin e figurës së tij në dritën e fakteve dhe jo të propagandës të kohës,  përbën një ndryshim themelor në raportin e shoqërisë tonë me të shkuarën, e raportit të shoqërisë me vetveten dhe me gjeneratat e tjera.

Sot Autoriteti vë në dispozicion të studiuesve dokumente që janë mbledhur prej ish- Sigurimit të Shtetit nga arkivat zyrtare të kohës, (1940-1944) kur më se shumti janë urdhëresa, vendime të  dala nga zyra Prefektit të Tiranës. Shkresat janë pa asnjë gabim në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, plot stil dhe referime ligjore që të bën të kuptosh që sterotipi i Prefektit ‘injorant’ ishte një produkt fake i propagandës.

Në dokumentet e ish-Sigurimi të Shtetit ka dhe një biografi të shkruar për Qazim Mulletin, e cila nuk arrin të fshijë shkollimin e gjatë dhe formimin akademik në diplomaci të Prefektit.

Dosja nr. 19, etiketohet me gjuhën e urrejtjes: “Dosje fashikull me dokumente mbi veprimtarinë para dhe pas çlirimit të kriminelit Qazim Mulleti.”  Brenda saj si për ironi gjen këtë shkrese të datës 29.03.1943, që ai ia dërgon Ministrit të Brendshëm kur shkruan i shqetësuar për fatin e katër familje të internuara, gjithsej 14 persona:

Lutem për lirimin e personave nga familjet e të arratisurve të internuar. Qëndrimi i tyre në internim na duket një vuajtje e tmerrshme dhe çnjerëzore, aq me tepër se prej gati dhjetë muaj e ca  që janë këtu nuk asht pa asnjë rezultat, prandaj për mos pa mjerime e për të mos i lanë në gjendje të bindshme, i lutemi Ministrisë të ketë mirësinë me disponue lirimin e tyre.”

Ndërsa historiografia komuniste e konsideron atë bashkëpunëtor të fashizmit në dokumente gjendet edhe një shkrese e brendshme e autoriteteve italianeve sipas të cilës Prefekti i Tiranës zhvillon propagandë kundër autoriteteve italiane dhe se është nacionalist. Po këtu gjendet  edhe një tjetër shkresë e autoriteteve italiane ku thuhet se “ai favorizon Myslym Pezën një ‘drejtues bandash’.

Disa hollësira këto që tregojnë se bashkëpunimi me autoritetet italiane vendosur pas pushtimit të vendit, siç është parë më vonë nga studiues ishte një bashkëpunim gjeostrategjik për të rritur prezencën e Shqipërisë në Ballkan duke e kthyer atë në territoret e vjetra.

Sigurisht që Prefekti i Tiranës ishte antikomunist dhe në frymën perëndimore, qëndrim të cilin ne  vlerësojmë sot si një emancipim për kohën, aq më tepër tani që historia vërtetoi se diktaturat mohuan të drejtat e njeriut dhe rezultoi me pasoja tragjike për një pjesë të madhe, të pafajshme, të popullsisë, kryesisht elitën dhe pasardhësit e tyre.

Në fashikullin me dokumente “Mbi veprimtarinë kriminelit të luftës Qazim Mulleti pas çlirimit në arrati” gjenden letrat që i drejtohen bashkëshortes, Hajrie Kusi dhe djalit Reshit, nën emrin e një gruaje italiane, por që Sigurimi i Shtetit e di që letrat janë shkruar prej tij.

Në përmbajtje të letrës mësohet se ai u ka dërguar pako me ushqime dhe rroba, ku ata ndodheshin të internuar në kampin e Savrës. Kartolina ndalohet nga ish-Sigurimi, pa mbërritur në destinacion.

Dokumentet për Qazim Mulletin gjenden në tre fashikujt prej një numër prej 300 fletësh. Por dokumentet për të shtrihen edhe në 86 dosje hetimore -gjyqësore të njerëzve me të cilët ai studioi në Itali, punoi gjatë detyrës, por dhe me të tjerë që kishte marrëdhënie fqinjësie dhe tregtie.

Nga një kërkim mbi disa prej tyre shihet se ata janë dënuar me burgime e internime, disa edhe me vdekje. Përmendim këtu Ibrahim Biçkaçiu, ish- kryeministër i vendit për një kohë të shkurtër gjatë Luftës së Dytë Botërore, një pronar i madh tokash, i shkolluar në perëndim që pas internimesh dhe burgosjesh përfundoi roje varrezash në Elbasan.

Disa prej këtyre emrave janë : Ali Qoraliu, Hysni Mulleti, Selim Daci, Giovanni Fachini, Besim Pazari, Hiqmet Biria, Selim Mati, Rexhep Picalli, Ymer Shaba, Haxhi Aga, Ali Qordja, Merita Sokoli, soprano, studiuar në Itali, Syrja Golja, Gjon Deda, Murat  Basha, drejtor i shkollës së Xhandarmërisë, anëtar i Shtabit të Forcave të Legalitetit, Mehmete Hurshiti, Osman Mema, Andon Kozmaci. etj.

Marrëdhëniet e një shoqërie me të shkuarën përcaktojnë në një masë të konsiderueshme shkallën e emancipimit të saj. Qasja e ftohtë ndaj ngjarjeve dhe personazheve historike, trajtimi i tyre me dritë-hijet përkatëse, kontekstualizimi i tyre do të dëshmonin për një shkallë të kënaqshme emancipimi dhe liberalizimi të shoqërisë.

Autoritetit fton studiuesit dhe median të aplikojnë për t’u njohur nga afër me dokumentacionin në fjalë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: