Pak ditë më parë u kthyen në atdhe nga Roma eshtrat e ish-prefektit të Tiranës Qazim Mulleti, për t’u rivarrosur, sipas amanetit të tij, në Shish-Tufinë në Tiranë.

Në rrjetet sociale është sjellë në vëmendjen një intervistë e dhënë nga djali i Qazim Mulletit, Reshitit, në vitin 2013 për gazetarin Luan Laze, ku rrëfente sesi e mbante mend të atin, si dhe prekte dhe komedinë “Prefekti” dhe takimin me aktorin Robert Ndrenika që luante rolin e babait të tij.

@publik.liveAta qe nuk e kane njohur djalin e Qazim Mulletit, Reshit Mulletin, ndiqni një fragment nga intervista realizuar në vitin 2003 nga gazetari Luan Laze në ambientet e shtepisë ku i ndjeri kaloi vitet e fundit të jetës.♬ original sound – Noka Naim

“Në shtator të ’44 iku babai, unë isha 14 vjeç. Vetëm mua ka pas fëmijë. Me nënën sillej mirë. Nuk ka qenë njeri nevrik, madje ia kishte lënë në dorë të gjithë kontrollin në shtëpi nënës sime.

Nga fundi i 1949 ne jemi internuar. Në vitin që u internova u bë edhe komedia, ndoshta ajo qe dhe një nga shkaqet që u publikua më shumë. Unë nuk e kam parë komedinë, ishte gjë e turpshme për mua se vihej në lojë babai im. Unë isha në shkollë, në klasë të dytë gjimnaz, Qemal Stafa, ishte premierë nata e parë që do jepej dhe ishin të gjithë aty, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe të tjerë të Byrosë… por ishte dhe një grua sovjetike, mësuese.

Kur dola ditën tjetër për në shkollë, furi e madhe, ishte rritur kurioziteti i njerëzve, dhe doli fjala që e ka luajtur vetë i biri,dhe dolën ca njerëz dhe më thoni ‘si e talle babën e ashtu’, u thoja ‘unë që jo nuk isha unë’.

Edhe në shkollë e njëjta gjë. Orën e parë atë ditë kisha rusisht, ajo tha ‘Mulleti, mbrëmë në teatër të kam parë…’, këta të klasës aq deshën, ‘ky është’. Pastaj i qetësoi fëmijët dhe më pyeti mua. ‘ku është baba? Në Itali’ i thoja unë.

Robert Ndrenikën e kam takuar, ka nja 6-7 vite. Nuk mbaj inat me të. Madje një shok i thotë Ndrenikës, ‘djali jot është ky?’”, tregon djali i Qazim Mulletit.

Kush ishte Qazim Mulleti

Qazim Mulleti lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor 1893 dhe vdiq më 28 gusht 1956 Vicolo delle Grotte Romë. Ka qenë prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashist. Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari. Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanissht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht.

Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë).

Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925). Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë.

Më 25 Prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me z.Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z.Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z.Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”. Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipëria.

Familja e Qazim Mulletit vuajti persekutimin e përndjekjen më të egër nga regjimi komunist vetëm për shkak të bindjeve dhe idealeve të tyre të lirisë e besimit.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb