Harry Kane mbylli një sezon fantastik, me dy trofe dhe 61 gola të shënuar. Prej kohësh, emri i tij vijon të lakohet fuqishëm në merkato, kjo pasi në fund të këtij sezoni aktivizohet klauzola që e lejon të largohet nga Bayern, nëse çdo skuadër paguan 65 milionë euro. “Bomberi” anglez është nën kontratë me Bayern deri në vitin 2027, por palët janë përfshirë këtë periudhë në diskutime në distancë për të gjetur një akord të ri.

Sipas mediave gjermane, Bayern është gati t’i ofrojë një kontratë deri në 2028, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit, ndërsa kapiteni i “Tre Luanëve” preferon një kontratë deri në vitin 2030. Për momentin sipas Sky Sport De, negociatat për rinovimin e kontratës kanë ngecur kjo pasi ka qenë vetë lojtari që i ka shtyrë pasi dëshiron të jetë 100% i fokusuar te Botërori “FIFA2026”.

I Pyetur mbi këtë temë, për rinovimin e kontratës, Harry Kane ishte i qartë: “Nuk është koha për të folur tani për këtë pjesë, por nuk ka panik. Ne dëshironim të zhvillonim bisedime në fund të këtij sezoni, por është edhe Kupa e Botës për t’u luajtur. Të gjithë e dinë që unë po e shijon eksperiencë e time këtu, situata është e qetë”, u shpreh Harry Kane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb