Indinjata për shkrirjen e bashkive është shtrirë edhe në Memaliaj, ku pas thirrjes së qytetarëve për t’iu bashkuar protestës së paralajmëruar ka reaguar edhe kryebashkiaku Albert Malaj, i cili deklaron se do t’i bashkohet kauzës së tyre.

Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, kryebashkiaku i vetëm demokrat në jug të vendit, Albert Malaj thotë Memaliaj është bashkia e dytë në qarkun e Gjirokastrës, si për numrin e banorëve, ashtu edhe për sipërfaqen e tij, ndaj nuk duhet të zhbëhet. Sipas tij, reforma e re territoriale po kryhet pa transparencë dhe kanë munguar dëgjesat publike me banorët e 53 fshatrave përbërëse.

“Kam paraqitur të gjitha argumentet që tregojnë se një vendim i tillë sjell humbje të identitetit, traditave dhe kulturës sonë, ngadalëson ritmin e zhvillimit ekonomik, nxit më tej shpopullimin dhe bie ndesh me frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.”, ka thënë ai.

  • foto galeri

Malaj thotë se me vendimin për bashkimin e Memaliajt me Bashkinë Tepelenë  është tejkaluar çdo kufi në raport me banorët, ndërsa drejton disa pyetje ndaj Komisionit për Reformën Territoriale që e konsideron barrë buxhetore Bashkinë Memaliaj:

“Komisionit që e sheh Bashkinë e Memaliajt si barrë buxhetore dua t’i bëj një pyetje: për çfarë janë taksat e shqiptarëve? A janë për AKSHI-n, për tunelet që kushtojnë dhjetëra miliona euro më shumë se parashikimet, për koncerte luksi apo për pagesa charter?

Sipas kryebashkiakut të Memaliajt këto janë vendime që nuk ndërtojnë të ardhmen e një komuniteti; thjesht fshijnë nga harta atë që nuk kanë ditur ta zhvillojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb