Një helikopter që para nisjes së takimit kontrollonte zonën përreth stadiumit, krerët e federatës që gëzohen kur marrin vesh për barazimin e Danimarkës ndaj Armenisë dhe vërshëllimat ndaj yllit portugez, Kristiano Ronaldos. Mesi me sa duket po i bëhet makth edhe në Shqipëri, Ronaldos sepse thirrjet “Mesi, Mesi” nuk munguan gjatë gjithë sfidës. Ishin këto disa nga ngjarjet më pikante të mbrëmjes së djeshme, gjatë 90 minutave lojë dhe më tej. Gjithashtu, edhe zemërimi i Berishës dhe Xhakës në fundin e takimit pas golit të pësuar, që nuk u lejoi të gëzonin një pikë me vlera, por pa harruar atmosferën e krijuar në shkallët e stadiumit, ku edhe pas humbjes tifozët duartrokitën djemtë e Kombëtares, shkruan Panorama Sport.

Masat – Helikopter që kontrollonte gjithë perimetrin e stadiumit dhe zonat rreth e përqark impiantit, 1 mijë forca policie, “security”, me qëllimin e vetëm që të mos kishte asnjë incident në “Elbasan Arena”. Kontrolle deri në detaj për çdo tifoz që kishte një biletë dhe e gjitha kjo ishte një parapërgatitje për sfidën pas një muaji me Serbinë.

Hyrja në stadium filloi rreth 3 orë para nisjes së takimit dhe kjo u bë për të evituar radhët e gjata. Masat, edhe pse të rrepta, me sa duket dhanë frytet e veta në mbarëvajtjen sa më normale të sfidës. Atmosfera – Një stadium i tejmbushur, ashtu siç ka ndodhur gjithnjë në një sfidë të Kombëtares, shumë kohë para se të niste sfida në fushë, por në tribuna nuk mund të pritej ora 20:45 dhe vërshëllima e gjyqtarit për të nisur këngët.

Me daljen e Etrit Berishës në fushë, thirrjet “Berisha, Berisha” bën të oshtijë gjithë impianti, ashtu siç ndodhi më pas edhe me gjithë ekipin kuqezi. Më parë brohoritjet nisën në momentin kur spikeri i stadiumit njoftoi barazimin e Danimarkës përballë Armenisë, një rezultat pozitiv ky për tanët, i cili na e bën më të thjeshtë rrugën për në Europian. Çdo emër i kuqezinjve thirrej nga ana e tifozëve në kor në momentin kur spikeri i lançonte ata. Elektrizuese! Vjen momenti i këndimit të himneve të dy shteteve, tifozët respektojnë kundërshtarin dhe ngrihen në këmbë te himni portugez. Të njëjtën gjë bënë edhe kur u këndua himni shqiptar, por kësaj here 12 mijë e 500 të pranishëm shoqëronin lojtarët në fushë dhe 4 tenorët në këndimin e tij. Emocionuese! E tillë ishte edhe kur tifo-grupi “Tifozat Kuq e Zi” shpalosën një banderolë me lojtarët e Kombëtares. Befasuese! Kokat e bardha nga qeleshet, enkas për këtë sfidë, dhe ngjyrat kuq e zi të bluzave të jepnin dekorin perfekt të një skuadre në nivelet e perfektes. Minuta e 31-të i takon “ole”-së në stadium, rituali ky i çdo ndeshjeje që është luajtur në këtë impiant, i cili bëri disa xhiro në gjithë stadiumin.

Ronaldo – Në tapetin dhe stadiumin “Elbasan Arena” shkeli nga afër ylli i skuadrës portugeze dhe atij botëror, Kristiano Ronaldo. Nuk ishte i thjeshtë për të ambientimi me vërshëllimat e tifozëve në stadium, edhe pse është mësuar shpesh të mos e duan kur luan me Realin e Madridit në stadiume të tjera. Çdo top që prekej nga portugezi shoqërohej me vërshëllima. Thirrjet “Mesi, Mesi” nuk pushonin nga ana e tifozëve, por edhe në këtë rast ylli botëror ruajti gjakftohtësinë, duke mos bërë as replikën më të vogël me ta, edhe për faktin se është më- suar me të tilla provokime. VIP-at – Në sfida të mëdha nuk mungojnë as “të mëdhenjtë” e politikës shqiptare. Kështu, Kryeministri Edi Rama, ministrat Nikolla, Bushati, Klosi etj., si edhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ishin dje të pranishëm në “Elbasan Arena”. Nga të djathtët e politikës, prezent ishte deputeti Edi Paloka. Gjithashtu, nuk munguan edhe personalitete të tjerë nga fusha të ndryshme. Federata – Me të mbaruar sfida e Danimarkës në barazim, entuziazmi në radhët e krerëve të federatës, të cilët në ato momente ndodheshin në fushë, arriti kulmin, me Lutfi Nurin që dukej më entuziast nga të gjithë. Pa përjashtuar këtu as kreun e federatës, Armand Dukën, i cili në ato çaste, me sa duket, po ndante lajmin e mirë me dikë në telefon.

Portugezët – Ishin shumë pak tifozë portugezë në stadium, disa dhjetëra, por ajo që bënte më shumë çudi ishte prezenca e tyre në tribunën qendrore, tok me tifozët shqiptarë. Disi e habitshme kjo, si është lejuar nga organizatorët, por, pavarësisht kësaj, nuk pati asnjë incident. Në fakt, ata u ndien vetëm në momentin e këndimit të himnit të tyre në fillimin e lojës, si edhe në minutën e fundit kur shënuan golin e fitores, ku këndonin dhe shpalosën shallet. Mavraj – Tifozi më special i kësaj Kombëtareje ka qenë mbrojtësi Mërgim Mavraj, i cili ende vuan dëmtimin e tij në këmbë. Ai e pa takimin në një studio në tribunë, ku, gjatë gjithë kohës, qëndroi në këmbë në përkrahje të skuadrës kuq e zi. Gjithsesi, lodhja nuk u ndie shumë, duke qenë se ishte në shoqërinë e vajzave të ekranit. Fillimisht ai nuk po gjente vendin e tij në tribunë dhe përfundoi në studio. Fundi – Me të mbaruar takimi dhe Shqipëria ndëshkohet në sekondat e fundit, duke iu rikthyer “zakonit” të vjetër, nuk mungoi nervozizmi në radhët e tyre. Kështu Xhaka, me të vërshëllyer kryesori, del menjëherë nga fusha e lojës, pa i dhënë askujt shpjegime, dhe hyn në dhomat e zhveshjes i nervozuar. Edhe portieri Berisha u pa i acaruar, teksa hedh dorezat në tokë nga dëshpërimi. Ndërkohë, pak minuta nga fundi, gjiganti i portës shqiptare shkon deri në mesin e fushës për t’u thënë diçka në vesh lojtarëve tanë. Pjesa tjetër e tyre u duartrokitën nga tifozët që i mbështetën në shkallët e stadiumit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb