Trupat e 18 ujqërve janë gjetur në një park kombëtar në Itali brenda një jave. Provat sugjerojnë se të gjitha kafshët ishin helmuar.
Autoritetet në parkun kombëtar të Abruzzo-s, Lazios dhe Molises thanë se tetë ujqër ishin gjetur të ngordhur ditët e fundit në tre zona të ndryshme të parkut, ndërsa 10 trupa u zbuluan javën e kaluar . U gjetën gjithashtu tre dhelpra të ngordhura dhe një skifter.
Një hetim penal u nis javën e kaluar, raporton Guardian , pasi rojet e pyllit gjetën atë që dukej të ishte karrem i helmuar pranë pesë ujqërve të ngordhur në zonën e Alfendenës, duke çuar në dyshime se pesë ujqër të tjerë të gjetur në Pescasseroli kishin ngordhur në të njëjtën mënyrë.
Rrethanat e vdekjes së kafshëve po hetohen, megjithëse autoritetet e parkut thanë se vdekjet e njëkohshme të specieve të tjera të kafshëve sugjeronin se helmimi ishte i qëllimshëm.
Situata është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh praninë e një nënlloji të rrallë të ariut të murrmë, në rrezik kritik, në të gjithë vargmalin Apenin.
Dega italiane e Fondit Botëror për Jetën e Egër (WWF) e quajti incidentin një nga “krimet më të rënda kundër jetës së egër në 10 vitet e fundit” dhe vuri në dukje se ai përbën “një trend të papranueshëm kriminal në një vend të civilizuar”.
WWF Italia fajëson pjesërisht për vdekjet BE-në , e cila vitin e kaluar uli statusin e ujkut nga “i mbrojtur rreptësisht” në “i mbrojtur”, në një veprim që synonte kryesisht ta bënte më të lehtë vrasjen dhe menaxhimin e popullatave të tij në rritje. Ulja e nivelit erdhi pas presionit nga fermerët për një rritje të sulmeve ndaj bagëtive dhe u mbështet fuqimisht nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pasi një ujk vrau ponin e dashur të familjes së saj, Dolly.
Vlerësohet se ka 20,000 ujqër të egër në të gjitha vendet e BE-së. Shumica gjenden në Itali, e ndjekur nga Rumania, Bullgaria, Greqia, Polonia dhe Spanja.
