Partia Demokratike ka reaguar lidhur me helmimin e 56 studentët e të Akademisë së Sigurisë. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli theksoi se studentët u helmuar pasi dyshohet se konsumuan ushqim të kontaminuar, ndërsa akuzon qeverinë për korrupsion.
Vangjeli tha se kompania Sori-AL me administratore Alma Tafani, e shpallur në kërkim prej ditës së djeshme, është favorizuar në marrjen e tenderit 2.8 mln euro nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara institucion që drejtohet nga Arlinda Pogaj, ndërsa gara ka qenë fiktive pasi operatorët e tjerë ekonomikë nuk kanë paraqitur ofertë reale dhe si rrjedhojë janë skualifikuar. Tenderi është zhvilluar në vitin 2025 për një periudhë 3-vjeçare.
PD kërkon hetim të plotë lidhur me këtë çështje. Gjithashtu bën thirrje që qytetarët të bashkohen në protestën e sotme të paralajmëruar në orën 19:00, kundër padrejtësive ndaj tyre.
Deklarata
Këtë të mërkurë, rreth 56 studentë të Akademisë së Policisë përfunduan në urgjencën e QSUT me simptoma helmimi, pasi dyshohet se konsumuan ushqim të kontaminuar në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Komplikacionet nisën pas konsumimit të vaktit të drekës, duke vënë në rrezik shëndetin e të rinjve.
Nuk është hera e parë që helmime masive ndodhin në institucione publike, ku viktima bëhen studentë, fëmijë dhe qytetarë të pafajshëm. Sa herë duhet të përsëriten këto skandale që shteti të mbajë përgjegjësi?
Shkaku i vërtetë i këtij helmimi nuk është vetëm ushqimi i kontaminuar. Shkaku është vetë shteti. Janë ministrat, drejtorët dhe zyrtarët që kanë kthyer tenderat publikë në mekanizëm grabitjeje dhe pasurimi personal.
Nga viti 2019 e në vijim, kontratat për shërbimin e gatimit nuk lidhen më me afat njëvjeçar, por trevjeçar, ndërkohë që kushtet bazë pothuajse nuk ndryshojnë.
Ajo që ndryshon është vetëm vlera, e cila vetëm rritet dhe sigurisht paguhet nga taksat e shqiptarëve.
Në vitin 2019, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme prokuroi shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për Akademinë e Sigurisë me rreth 47 mijë euro në muaj, ose 1.7 milion euro për tre vite.
Ndërsa në tenderin e fundit të vitit 2025, të zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, përveç një garë fiktive, ku nga tre operatorë pjesëmarrës, vetëm fituesi paraqiti ofertë reale dhe dokumentacion, ndërsa dy të tjerët nuk dorëzuan asgjë dhe u skualifikuan, për të njëjtin objekt u prokuruan pothuajse 80 mijë euro në muaj, ose 2.8 milion euro për tre vite.
Pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: ku shkuan milionat shtesë të shqiptarëve? Kush përfitoi nga fryrja me gati 70% e këtyre kontratave?
A po përdoren këto tendera si skema korruptive për të mbushur xhepat e ministrave dhe drejtorëve të Edi Ramës, ndërkohë që studentëve u jepet ushqim që i çon në spital?
Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe transparent për këtë skandal, si dhe mbajtjen e përgjegjësisë penale dhe administrative për çdo zyrtar të përfshirë në këto prokurime abuzive që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Sot nuk kemi thjesht një helmim masiv. Sot kemi një shtet të kalbur nga korrupsioni, ku fondet publike vidhen, ndërsa qytetarëve u kthehet pasiguri, varfëri dhe rrezik për jetën.
Ndaj, ftojmë të gjithë qytetarët sot në orën 19:00 përpara Kryeministrisë, për të protestuar kundër këtij regjimi që po vjedh, po shtyp, po varfëron dhe tashmë po rrezikon edhe jetën e shqiptarëve.
