Një fushatë solidariteti ka mbledhur mbi 144 mijë euro për Altin Hilën, i cili u arrestua gjatë protestës së djeshme në kryeqytet, ku kishte marrë pjesë për 33 ditë rresht së bashku me djalin e tij me status invaliditeti.
Hila është bërë i njohur në rrjetet sociale për praninë e tij të përditshme në protestë, i shoqëruar nga djali i sëmurë, i cili ushqehet në mënyrë të posaçme përmes një tubi stomaku. Në disa pamje të publikuara online, shihet momenti kur ai kujdeset për të birin gjatë tubimit.
Sipas organizatorëve të nismës së mbledhjes së fondeve, familja ndodhet në vështirësi të rënda ekonomike, ndërsa pretendohet gjithashtu se Hila është dhunuar nga Policia e Shtetit para se të arrestohej gjatë protestës, duke rënduar më tej gjendjen e tij familjare.
Deri më tani, sipas të dhënave të publikuara, janë grumbulluar rreth 144 mijë euro nga donatorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit, në GoFundMe e hapur në ndihmë të familjes.
Vetë Hila, në një deklaratë të mëparshme për gazetarin Osman Stafa, ka shprehur vështirësitë ekonomike me të cilat përballet familja e tij, duke theksuar koston e lartë të trajtimit të djalit.
“Nuk di nëse do të kem nesër ushqim për tim bir. Ai ushqehet me tuba që kushtojnë mbi 1200 euro dhe duhet të ndërrohen çdo gjashtë muaj. Djali im ka nevojë për 15 mijë lekë ushqim çdo ditë. Shteti më jep vetëm 280 mijë lekë në vit dhe 130 mijë lekë si kujdestar”, është shprehur ai.

