Kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga mbyllja e fazës së katërt të kampionatit, alarmi më i madh te Vllaznia vjen nga repartit ofensiv. Shkodranët po kalojnë një krizë të thellë në sulm, pikërisht atëherë kur skuadra duhet të tregojë forcën maksimale për të synuar titullin kampion. Statistikat e javëve të fundit janë shqetësuese dhe tregojnë qartë se kuqeblutë po vuajnë jashtëzakonisht shumë për të gjetur rrugën e rrjetës. Në tetë ndeshjet e zhvilluara gjatë fazës së katërt, Vllaznia ka realizuar vetëm katër gola, një mesatare tepër e ulët prej vetëm 0.5 golash për takim.
Një bilanc i tillë është larg pritshmërive për një ekip që pretendon të luftojë deri në fund për trofeun e kampionatit. Edhe më shqetësues bëhet fakti se këto gola kanë ardhur vetëm në tre ndeshje: dy në fitoren 0-2 ndaj Partizanit, një në suksesin minimal 1-0 kundër Teutës dhe një tjetër në humbjen 3-1 ndaj Elbasanit. Në pesë sfidat e tjera, sulmi shkodran ka mbetur totalisht në heshtje.
Problemi më i madh duket të jetë bllokimi i futbollistëve që mbajnë peshën kryesore të repartit ofensiv. Kapiteni Bekim Balaj po kalon një nga momentet më të vështira të sezonit, teksa nuk arrin të shënojë prej 11 ndeshjesh radhazi mes kampionatit dhe Kupës. Për një sulmues me eksperiencën dhe rëndësinë e tij në skuadër, kjo statistikë është tregues i qartë i krizës që ka përfshirë të gjithë repartin ofensiv të kuqebluve. As Dodaj nuk po arrin të japë kontributin e pritur në javët e fundit. Sulmuesi ka pesë ndeshje radhazi pa gjetur golin, ndërsa mungesa e efikasitetit është bërë gjithnjë e më e dukshme në lojën e Vllaznisë. Teksa Kastrati dhe Bismark, dy lojtarë që prej javësh nuk po japin kontribut si pasojë e problemeve fizike të dyshes sulmuese.
Mungesa e tyre ka bërë që skuadra të humbasë shumë nga dinamika dhe rrezikshmëria në metrat e fundit. Një tjetër element që ka ndikuar ndjeshëm në rënien e produktivitetit ofensiv është edhe mungesa e golave nga mesfusha. Mala nuk ka shënuar që prej muajit shkurt, ndërsa edhe Kallaku po kalon një periudhë të zymtë. Fantazisti kuqeblu nuk realizon që nga data 6 shkurt 2026, në triumfin 1-0 ndaj Vorës. Pikërisht mungesa e kontributit nga lojtarët e vijës së dytë ka bërë që Vllaznia të bëhet më e lexueshme dhe më pak kërcënuese për kundërshtarët. Në prag të “Final 4”, situata në kampin shkodran kërkon zgjidhje emergjente.
Vllaznia vazhdon të mbetet në garë për objektivat madhorë, por pa rikthyer golin dhe besimin në repartin ofensiv, rruga drejt titullit bëhet shumë më e vështirë. Trajneri dhe stafi teknik kanë përpara një sfidë të madhe: të zgjojnë sulmin në momentin më delikat të sezonit. Sepse në ndeshjet finale, diferencën e bën pikërisht goli, dhe aktualisht ai është problemi më i madh i kuqebluve.
