NGA KLODIANA LALA

TIRANE-Gjykata e Krimeve të Rënda “ngrin” pasuritë e deputetit të Partisë Socialiste Alfred Peza dhe bashkëshortes së tij, Mirela Ndini, të cilët po hetohen për fshehje pasurie, deklarim i rremë i pasurisë dhe pastrim parash.

Vendimi u mor të hënën nga gjykatësja Daniela Shirka, sipas kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila ka çelur ndaj ligjvënësit socialist dhe familjarëve të tij, një hetim pasuror sipas ligjit “Antimafia”.

Konkretisht, Gjykata ka firmosur për sekuestrimin e 1 për qind të aksioneve që Mirela Ndini, zotëron në një bankë të nivelit të dytë, me vlerë 113 milionë lekë, shumë e cila sipas Prokurorisë nuk justifikohet nga burime të ligjshme.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se nga provat e faktet e administruara në kuadër të hetimit, janë krijuar dyshime të forta se bashkëshortët Alfred Peza dhe Mirela Ndini kanë krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në regjistrat publikë, çka ngre dyshime të forta se pasuria nuk është vënë nga burime të ligjshme.

“Në bazë të hetimeve të deritanishme rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga shtetasja Mirela Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve. Nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është rreth 135 milionë lekë të reja. Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura”, thekson prokuroria.

Sipas saj, kërkesa për sekuestrimin e pasurive u bë pasi u vlerësua se ekzistonte rreziku i tjetërsimit të aksioneve që zotëronte Mirela Ndini në bankën e nivelit të dytë.

[embeddoc url=”https://balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2017/04/njoftim-sekuestro-alfred-peza.doc” viewer=”microsoft”]

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: