Ish-sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton kritikoi ashpër kryeministrin Benjamin Netanyahu për qasjen e tij ndaj luftës me Hamasin dhe i bëri thirrje që të largohej nga pushteti. “Netanyahu duhet të largohet. Ai nuk është një udhëheqës i besueshëm. Sulmi i 7 tetorit ndodhi para syve të tij. Ai duhet të shkojë, dhe nëse është një pengesë për një armëpushim, nëse ai është një pengesë për të eksploruar atë që do të bëhet të nesërmen, ai absolutisht duhet të shkojë”, citohet të ketë thënë Clinton në një intervistë për MSNBC.

“Ne dëshirojmë që të ketë një armëpushim. Nëse Hamasi do të pranonte një armëpushim, duhet të ketë një armëpushim”, tha ajo.

Hamasi ka bërë disa kërkesa “të mprehta”, duke përfshirë një armëpushim të përhershëm, me të cilat Izraeli ka thënë se nuk mund të pajtohet, në një propozim të ri për lirimin e pengjeve që mban ende.
Por Izraeli ka thënë se do të vazhdojë luftën derisa regjimi i Hamasit të rrëzohet dhe pengjet të lirohen. Ndërsa e pyetur për marrëdhëniet e presidentit amerikan Joe Biden me Netanyahun, ish-kandidatja demokrate për president dhe ish-zonja e parë tha: “Unë mendoj se Biden ka bërë gjithçka që mund të bënte për t’iu përgjigjur shqetësimeve legjitime të popullit izraelit pas 7 tetorit, për t’u bashkuar me Izraelin përballë një sulmi terrorist nga një organizatë terroriste”.

Lufta shpërtheu kur Hamasi udhëhoqi një sulm shkatërrues më 7 tetor mbi Izraelin që vrau 1200 njerëz, kryesisht civilë. Rreth 3,000 militantë pushtuan Izraelin jugor përtej kufirit me Rripin e Gazës, duke vrarë ata që gjetën dhe duke rrëmbyer 253 njerëz të të gjitha moshave që u morën si pengje në Gaza. Mbi gjysma mbeten rob.
Clinton mbrojti sjelljen e Izraelit, duke vënë në dukje se Hamasi filloi luftën dhe se Izraeli ka të drejtë të mbrohet brenda ligjeve të luftës. “Shikoni çfarë i ka bërë Rusia Ukrainës, duke shkatërruar spitale, shkolla, duke rrafshuar qytete të tëra, duke rrëmbyer fëmijë. Është e tmerrshme. Kur je agresori, siç ishte Hamasi më 7 tetor, ose siç ishte Rusia në shkurt të 2022, çfarë bëni me një agresor? Ju duhet t’i ndaloni ata”, tha ajo. Deklaratat e Clinton erdhën ndërsa Sekretari aktual i Shtetit i SHBA-së, Anthony Blinken ishte në Izrael për takime me liderët, gjatë të cilave ai shprehu kritika të ashpra për situatën humanitare në Gaza.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: