Pas largimit të drejtoreshës së Drejtorisë së Mbledhjes së Borxhit Brunilda, e cila sipas burimeve refuzoi të vazhdonte bllokimin e llogarive të Birra Korçës pa respektuar procedurat ligjore, në krye të sektorit u vendos një drejtues i ri, Arbëri Ametbejasi, që sipas shumë punonjësve të administratës, nuk po demonstron as aftësinë minimale profesionale për të kuptuar një dosje financiare të përmasave të tilla.
Burimet pranë kompanisë dhe administratës bëjnë të ditur se shoqëria ka një korrespondencë të tërë me email, mandate pagesash dhe dokumente që provojnë pagesat e kryera. Por në vend të një ballafaqimi profesional të shifrave, përgjigjja që kthehet vazhdimisht pretendohet të jetë vetëm një fjali mekanike “Bëni pagesën”.
Kur kompania dërgon mandatet dhe kërkon të identifikohet konkretisht se për cilën shumë bëhet fjalë, sipas pretendimeve, nuk jepet asnjë analizë reale financiare. Pikërisht këtu lind edhe dyshimi më i madh nëse kemi të bëjmë me paaftësi profesionale apo me një urdhër të paracaktuar për të goditur Birra Korçën me çdo kusht?
Burime brenda Tatimeve shprehen se drejtuesi i ri Arbëri Ametbejasi nuk arrin të lidhë pagesat me mandatet përkatëse, nuk kupton historikun e korrespondencës financiare dhe shmang çdo ballafaqim teknik me kompaninë. Dhe kjo, sipas specialistëve të fushës, është alarmante për një institucion që administron miliona euro detyrime fiskale.
Madje shumë tatimorë veteranë janë shokuar nga mënyra sesi po trajtohet çështja. Ata shtrojnë një pyetje të thjeshtë: Si mund të tentohet bllokimi i një fabrike prodhimi pa një shkresë paraprake zyrtare, pa afat ligjor, pa rakordim pagesash dhe pa një ballafaqim financiar transparent?
Në çdo administratë normale, procedura është e qartë: fillimisht njoftohet subjekti, kërkohet pagesa, bëhet rakordimi i detyrimeve dhe vetëm nëse subjekti refuzon apo shmang detyrimet, merren masa shtrënguese. Por këtu, sipas burimeve, duket sikur gjithçka është përmbysur: fillimisht urdhri për bllokim, pastaj tentativat për të justifikuar vendimin.
Kjo sjellje po lë shije shumë të keqe edhe tek profesionistët e administratës tatimore, të cilët prej vitesh kanë punuar mbi bazën e procedurave dhe dokumentacionit ligjor. Sepse ligji nuk funksionon me kokëfortësi, as me urdhra verbalë dhe as me objektiva personale.
“Birra Korça” nuk është një kioskë rruge që mund të mbyllet me një telefonatë. Është një fabrikë historike, me qindra punonjës, me investime miliona euro dhe me ndikim të madh në ekonominë e qarkut Korçë. Çdo bllokim arbitrar nuk dëmton vetëm kompaninë, por dëmton punëtorët, shtetin dhe vetë klimën e biznesit në vend.
Dhe pyetja që shumë njerëz po bëjnë sot është se përse u largua drejtoresha që kërkoi të zbatohej ligji dhe përse u soll dikush që duket se ka ardhur vetëm për të zbatuar urdhrin e bllokimit?
“Po zgjodhe të mbrosh ligjin në Tatime humbet punën”, ky është mesazhi që sipas shumë punonjësve po përcillet nën drejtimin e Ilir Binajt.
Sepse kur largohet profesionisti që kërkon dokumente dhe vendoset njeriu që thotë vetëm “bëni pagesën”, atëherë problemi nuk duket më administrativ, por shumë më i thellë.
Sot mund të duket se pushteti administrativ është më i fortë se ligji, por historia ka treguar se çdo vendim arbitrar lë gjurmë. Një ditë do të kërkohet përgjegjësi për çdo urdhër të paligjshëm, për çdo emërim klientelist dhe për çdo vendim që ka dëmtuar biznesin, punëtorët dhe interesin publik.
Sepse administrata publike nuk është pronë personale e askujt. Dhe profesionistët nuk mund të zëvendësohen pafundësisht me “ushtarë” që zbatojnë urdhra pa pyetur për ligjin.
(Në foto Arbëri Ametbejasi – Drejtor i Mbledhjes së Borxhit dhe Ilir Binaj – Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve)
