Në administratën tatimore po qarkullon një pyetje që askush nuk po jep guximin ta sqarojë publikisht: Përse u largua nga detyra drejtoresha e mbledhjes së borxhit për tatimpaguesit e mëdhenj menjëherë pasi zhbllokoi llogaritë e “Birra Korça”?
Sipas burimeve brenda administratës, konflikti nisi pas urdhrit për bllokimin e llogarive të kompanisë historike “Birra Korça”, një nga bizneset më të rëndësishme prodhuese në juglindje dhe ndër kontribuuesit më të mëdhenj në ekonomi e taksa.
Pretendimet janë se kompania nuk kishte detyrime të konsoliduara që justifikonin masa ekstreme bllokuese. Burime pranë tatimeve pretendojnë se drejtoresha Brunilda refuzoi të vazhdonte me veprime që nuk mbështeteshin në procedura të qarta ligjore dhe kërkoi që çdo urdhër të jepej me shkrim. Në mbledhje të brendshme, sipas këtyre burimeve, ajo ka shprehur shqetësimin se nuk mund të mbante përgjegjësi personale për urdhra verbalë që mund ta vendosnin përballë ligjit.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë:
A u shkarkua ajo sepse zgjodhi ligjin përballë urdhrit verbal?
Nëse një kompani ka detyrime tatimore, ligji parashikon procedura të qarta, njoftim, afate pagese, marrëveshje, paralajmërime dhe vetëm më pas masa shtrënguese. Por sipas pretendimeve të ngritura, në rastin e “Birra Korça” u tentua të përdorej menjëherë bllokimi i llogarive dhe ndalimi i aktivitetit, duke rrezikuar prodhimin, pagat e punëtorëve dhe zinxhirin ekonomik të një fabrike historike.
Një pyetje tjetër që kërkon përgjigje është: Kujt i shërben bllokimi i një kompanie që paguan miliona në taksa dhe mban qindra familje me punë?
Në vend që shteti të garantojë stabilitet ekonomik dhe klimë sigurie për investitorët, rasti ngre dyshime për përdorimin e administratës tatimore si instrument presioni. Më shqetësues bëhet fakti se drejtuesja që zhbllokoi llogaritë u largua nga detyra brenda një kohe shumë të shkurtër.
A ishte ky një mesazh “Zbato urdhrin ose largohu” për administratën?
Ilir Binaj njihej më herët si profesionist pranë biznesit dhe njohës i bilanceve financiare të kompanive. Pikërisht për këtë arsye shumëkush habitet sot nga qasja që po ndiqet ndaj një kompanie me histori, investime dhe ndikim ekonomik si “Birra Korça”.
Nëse kompania kishte detyrime, përse nuk u ndoqën procedurat normale të paralajmërimit dhe negocimit?
Përse kërkohej bllokim i menjëhershëm?
Përse u largua drejtuesja që refuzoi të vepronte pa bazë të shkruar?
Dhe mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi nëse rezulton se vendimet kanë qenë të paligjshme?
Një administratë tatimore nuk duhet të funksionojë mbi urdhra verbalë, interesa personale apo presione të fshehta. Ligji nuk mund të zbatohet sipas humorit të drejtuesve dhe as të përdoret për të trembur biznesin.
Sepse kur goditet pa transparencë një fabrikë historike, mesazhi nuk shkon vetëm tek një kompani. Mesazhi shkon tek çdo investitor që mendon të investojë në Shqipëri.
Çdo drejtues që sot mendon se mund të përdorë tatimet si armë presioni duhet të kujtojë një fakt të thjeshtë: Pushteti është i përkohshëm, ndërsa përgjegjësia ligjore mbetet. Zoti Binaj me emërimet klienteliste, komandimet arbitrare dhe urdhrat verbalë të paligjshëm mund të heshten përkohësisht nga frika brenda administratës, por jo përgjithmonë. Një ditë do të kërkohet përgjegjësi për çdo vendim që ka dëmtuar biznesin, punonjësit dhe interesin publik.
