Ndërsa sot kanë nisur në Burrel kërkimet për gjetjen e eshtrave të Giussepe Terrusit, drejtor i bankës së Vlorës i burgosur nga regjimi i Enver Hoxhës, por pa një varr, publikohet edhe historia e tij e trishtë.

Kërkimet kanë nisur pikërisht aty pasi, të burgosurit politikë që e kanë kaluar një pjesë të jetës në atë burg thoshin se nën rrënjët e saj (qershia) prehej edhe një bankier italian, Giuseppe Terrusi. Ai kishte ardhur në Shqipëri në prill 1926, kishte punuar në bankën e Gjirokastrës, më pas drejtor i bankës së Vlorës. Dëshmitë e tregojnë tërësisht të papolitizuar. Më 1945 arrestohet nga regjimi komunist që po instalohej.

E akuzojnë se ua ka dorëzuar me dëshirë bankën gjermanëve, ndonëse dëshmitë tregojnë të kundërtën. Është baba i një djali, është martuar me një italiane që e ka njohur në Shqipëri dhe është kunati i një sportisti në zë që ka përfaqësuar Shqipërinë. Arrestimi i bankierit thuhet se ishte një hakmarrje e Enver Hoxhës ndaj një italianeje të bukur që jetonte komshi me të në Gjirokastrën e viteve 1920-‟30 që e kishte refuzuar. Aurelia Poselli, duke shfrytëzuar njohjen e kahershme, shkon në Komitetin Qendror të takojë Enver Hoxhën për t’i kërkuar t’i falë të shoqin, por ai nuk e pret.

Janë vitet 1948-1949. Giuseppe Terrusi, nga Vlora është dërguar në burgun e Burrelit. Familja e tij, djali dhe gruaja riatdhesohen në Itali, ndërsa ai mbetet i vetëm në burgjet shqiptare. Giuseppe vdes në burgun e Burrelit më 2 mars 1952. Thuhet se u varros pranë pemës së qershisë ku varroseshin të burgosurit deri më 1955. Që nga viti 1993, i biri, Aldo Renato Terrusi, që kujton të atin si një burrë që e ka parë vetëm një herë në burg, ka ardhur më shumëse 10 herë në Shqipëri. Ka vetëm një peng, të gjejë eshtrat e të atit që t’i çojë të prehen pranë eshtrave të së ëmës, siç qe amaneti i saj. Ende nuk ka mundur t’i gjejë, për shkak të lejes së munguar për të gërmuar në Burrel. Kujton se në 2012-n ka vajtur në burgun e Burrelit dhe punonjës të administratës shqiptare debatuan para tij për çështje teknike, por nuk e lanë të merrte lopatën në dorë

Faktin e refuzimit nga nëna e tij të Enver Hoxhës e konfirmon edhe vetë Aldo Renato Terrusi në një intervistë për mediat shqiptare.

Nëna një grua e bukur, babai drejtor banke, daja portier e kombëtares në një vend të huaj. Deri këtu ishte fantastike, por historia mbetej përgjysmë në mjegull. Zoti Terrusi, me kaq fjalë ju keni dhënë motiv për një film.
E kam thënë dhe herë tjetër. Kjo është një histori e vërtetë që i ngjan një romani. Po, ka filluar të ngjizet vërtet një projekt filmik. Skenaristi dhe regjisori është shqiptar. Nuk mund të them më shumë. Kjo histori u kap sot nga disa këndvështrime. U tha këtu që nëna juaj shkon në Komitetin Qendror të kërkojë amnisti për të shoqin.
Aurelia shkoi në Komitetin Qendror të takonte Enver Hoxhën për t‟i kërkuar falje për babain. Ka ndodhur ndërmjet vitit 1948-1949. Enver Hoxha nuk e priti, sepse do ta refuzonte sidoqoftë. Atëherë preferoi të mos e takonte me justifikimet e njërit dhe të tjetrit person që i kërkonin kësaj gruaje diçka në këmbim për të
mbërritur deri te udhëheqësi.

U fol shumë për refuzimin që Aurelia Poselli i bëri dikur Enver Hoxhës, si shkak i dënimit të babait tuaj. Ju e mbroni i bindur këtë?
Jo, dënimi i Giuseppe Terrusit nuk ka ndodhur për këtë motiv. Por me rëndësi ka qenë fakti që Enver Hoxha nuk bëri asnjë ndërhyrje babain e dënuar dhe besoj që i vetmi njeri që akuzoi tim at në Vlorë ishte i komanduar.

Cili ishte ky person?
Doni emrin?
Meqenëse keni parë dëshmitë që u përdorën kundër babait tuaj në një gjyq pa avokat, mund të na njihni me to?
Këto janë dokumentet origjinale që ka gjetur Instituti i Studimeve mbi Dënimin e Krimeve dhe mbi Pasojat e Komunizmit. Mund ta lexoni vetë, sepse letra është në shqip dhe në italisht. Këtu keni emrin, Shefit Muharremi i cili dëshmon se Giuseppe Terrusi ka qenë fashist i vendosur dhe si i tillë është dërguar nga Italia me shërbim në Shqipëri në favor të organizatës fashiste; duke qenë drejtor i Bankës i ofroi ushtrisë naziste që po largohej të hollat me qëllim që të mos i dorëzonte në duart e ushtrisë shqiptare…
Atëherë kjo është akuza për vjedhjen e pasurisë së popullit që e dënoi Terrusin?
Po, dhe akuza e tretë: “Me çlirimin e Shqipërisë, i përmenduri ka bërë mbledhje të ndryshme në bashkëpunim me shokët si Arturo Orlandi për dërgimin e ushtarëve italianëve që ndodheshin në rreshtat e ushtrisë në Italinë e okupuar prej nazizmit.” Të gjitha këto akuza janë të rreme sepse. Babai nuk i ka pranuar. Këtu ndodhen të gjitha dëshmitë, dosja ku ai vetë thotë se asnjëra prej këtyre nuk është e vërtetë. Pastaj janë letrat e babait që janë shkruar para procesit në të cilat ai thotë: e urrej fashizmin, i urrej nazistët. Pra në letra thuhet krejt e kundërta e akuzave që po e futën në burg ngaqë nuk iu dha paratë nazistëve. Këto letra janë para procesit dhe i janë dërguar motrës Kiara, në shtëpinë tonë në Kastelaneta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb