TIRANË- Një shkrim ekskluziv i Ulvi Zaimit për historinë e “Rrugës së Durrësit” është botuar sot në gazetën Panorama. Pjesë e historisë së rrugës janë edhe dy motra, vajzat e ambasadorit polak, të cilat thuhet se kanë çmendur Tiranën me historitë e tyre të dashurive. Mbrapa nuk ka mbetur as vëllai i tyre.

“Historia e motrave që morën famë si protagoniste të kësaj rruge është e lidhur me mesvitet ‘60­‘70, bashkë me to edhe Stefani, djali i ambasadorit polak. Zasha dhe Grisha ishin vajzat e një funksionari të Ambasadës Polake, të cilat vinin sistematikisht për pushime gjatë periudhës së verës në kryeqytet. Banonin në hyrjen e parë në katin e dytë të pallati përballë bar “Roberti” sot”,- thuhet në shkrim.

Bëhet fjalë për dy vajza shumë simpatike, me flokë të verdhe, të cilat u përfolën për mjaft lidhje në atë kohë, aq sa djemtë kapërcenin nga një ballkon tek tjetri për t’i arritur.

“Bionde shumë të bukura, me flokë të gjata e balluke, 22 e 19 vjeçe, rreth tyre u krijua një situatë admiruese, madje deri edhe flirte të vogla. Djemtë e Tiranës që tentonin të futeshin në apartamentin e tyre, duke kaluar nga një ballkon te tjetri, shkëmbenin në frëngjisht letra dashurie me to. Shumë bujë bëri dashuria e Zashës më një bodyguard me ngjyrë të Ambasadës Kubaneze, një djalë simpatik, kaçurrel, i gjatë e që vishej me kostum të bardhë e me gjyzlykë, çka tërhiqte vëmendjen kur çifti ulej te “Flora”. Ishin ato që sollën në Tiranë minifundet e para me pala shumë joshëse. Të rinjtë qëndronin te bordurat në pritje për t’i parë kur ato kur kalonin. Ishin adhuruese të muzikës, në veçanti të këngëtarit amerikan Tom Xhons”,- theksohet në shkrim.

Ajo që të bën përshtypje është se fama e vajzave rritej gjitnjë e më shumë sado që ruheshin nga sigurimi.

“Mjaftonte të vërshëlleje melodinë e “Delilah”, që ato të dilnin me vrap në ballkon. Edhe pse ruheshin nga punonjës të Sigurimit, ato nuk hezitonin të provokonin në pafundësi pasionet dhe simpatitë e djemve të asaj rruge”.

Pjesë e historisë është edhe vëllai i tyre, Stefani i cili njihej për organizimin e festave dhe historive të dashurisë me vajzat nga Tirana.

“Ndërsa Stefani, që shëtiste në Rrugën e Durrësit me një biçikletë sportive, edhe pse nën kontrollin e ndjekësve që nuk i ndaheshin, kishte krijuar miqësi me djem e vajza të Tiranës dhe shpesh në Ambasadën Polake i ftonte, duke organizuar dëfrime, vallëzime, madje në shumë raste nuk kanë munguar historitë e dashurive të tij me bukuroshet e kryeqytetit”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb