Një ngjarje tronditëse është zbuluar në qytetin Orange, në juglindje të Francës, ku autoritetet kanë gjetur eshtrat e pesë foshnjave në banesën e një çifti që vetëm pak ditë më parë kishte sjellë në jetë një fëmijë të shëndetshëm.

Sipas prokurorisë franceze, zbulimi u bë nga partneri i gruas 32-vjeçare, i cili kishte mbetur vetëm në banesë pasi ajo lindi në shtëpi të dielën dhe më pas u transportua në spital.

Burri, i shqetësuar pasi kishte mësuar me vonesë për shtatzëninë e partneres së tij, vendosi të kontrollonte apartamentin, ku gjeti mbetje që dyshoi se ishin njerëzore. Ai njoftoi menjëherë spitalin, i cili më pas informoi autoritetet.

Policia kreu kontroll në banesë të hënën në mbrëmje, ndërsa mjeku ligjor konfirmoi se mbetjet dhe trupat e dekompozuar i përkisnin pesë foshnjave. Autoritetet kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë dhe analizave laboratorike për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe identitetin e plotë të viktimave.

Prokuroria ka nisur një hetim paraprak për vrasjen e të miturve nën moshën 15 vjeç, ndërsa nëna 32-vjeçare, e cila ndodhet ende në spital, nuk është marrë ende në pyetje.


Çifti ka edhe dy fëmijë të tjerë, të moshës tetë dhe nëntë vjeç, dhe jetonte në katin e dytë të një ndërtese të vjetër në qendër të qytetit Orange.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të këtij rasti të rëndë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: