Nga: ANISA YMERI

TIRANE– I shndërruar në gërmadhë pas kapërcyellit të vitit 1990, odiseja e Hotel Dajtit vijon. Me pronar Bankën e Shqipërisë e cila ja bleu bujshëm shtetit shqiptar në vitin 2010 plot 30 milionë euro, kjo ndërtesë e rëndësishme në qendrën historike të Tiranës rrezikon të tjetërsohet pakthyeshmërisht.

Një projekt i cili duket të jetë në prag të miratimit, e kthen Hotel Dajtin në zyra të bankës. Burime jo zyrtare dhe konficenciale për Neës24, bëjnë me dije se javën e shkuar, ky projekt është diskutuar në Këshillin Shekencor të Institutit të Monumenteve, një këshill konsultativ ky dhe jo vendimmarrës, ku mësohet se ka pasur shumë debate.

Shumica e anëtarëve të Këshillit, specialistë të zëshëm të trashëgimisë në vend, kanë kundërshtuar projektin e kthimit të Hotel Dajtit në zyra të Bankës së Shqipërisë, duke vënë theksin në shkatërrimin e një ndërtese e cila është gur themeli në trashëgiminë e kryeqytetit, për çka anëtarët e Këshillit Shkencor, kanë shfaqur kundërshtinë e tyre.

Sipas tyre, funksioni i ri që propozohet, cenon vlerat për të cilat kjo ndërtesë është vënë në mbrojtje, vlerat për të cilën ka statusin e monumentit të kulturës.
Ndonëse, përfaqësuesit e bankës në mbledhjen e Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve mësohet të kenë thënë se do të ruhet një pjesë e strukturës së godinës dhe disa pjesë të saj do të jenë të hapura për publikun, por anëtarët e këshillit theksojnë se pavarësisht aksesit që thuhet se do të ketë për publikun, funksioni i ri që merr ndërtesa, nuk mund të ketë eksesin që ka një hotel, i cili promovon vlerat për një publik tjetër, shqiptar apo të huaj, ndryshe nga ai që do të jetë publiku i një banke.

Pra sipas tyre, në rast të miratimit të projektit, kjo godinë historike s’mund të jetë e prekshme për shqiptarët dhe vizitorët e huaj; do të sjellë tjetërsim të godinës…çka do të thotë shkatërrim të një monumenti.

Projekti i cili e kthen në zyra të bankës, Hotel Dajtin është realizuar nga arkitekti italian Marco Petreschi, i njëjti arkitekt që ka realizuar projektin e restaurimit tërësor të godinës historike të Bankës së Shqipërisë, i cili pritet që nesër ta mbrojë atë në Këshillin Kombëtar të Restaurimit, këshill vendimmarrës ky i cili drejtohet nga ministrja e kulturës Mirela Kumbaro e që pritet të mblidhet mesditën e kësaj së marte.

I projektuar në vitet ‘30-të të shekullit të shkuar nga arkitekti italian Gherardo Bosio, Dajti ka qenë një ndër hotelet më të rëndësishme të Ballkanit për kohën dhe një vepër tepër e rëndësishme në historinë e arkitekturës. Tej projektit, ajo është një godinë historike e kryeqytetit të shqiptarëve që në nisje të viteve ‘90-të ishte një vend pelegrinazhi për turistët e huaj të cilët rendnin të shihnin Shqipërinë komuniste.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb