“Nëse po kërkoni të vizitoni një nga vendet më të bukura para se të ngrihen çmimet dhe të mbushet me turistë, shkoni në Shqipëri”, kjo është këshilla e Monique Alvarez, autore dhe konsulente biznesi ndërkombëtar e cila aktualisht jeton në Tiranë me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët e tyre.
Në një shkrim për prestigjiozen amerikane Huffington Post, autorja përmend dhjetë arsye pse duhet vizituar Shqipëria.

Duke qënë se jam rritur në Koloradon rurale, kisha shumë dëshirë që të udhëtoja dhe të shihja botën. Në mendjen time udhëtoja përmes faqeve të revistës ‘National Geographic’ që më kishte blerë gjyshja ime. Më pas mbushja fletoret me listat e vendeve që doja të shihja. Megjithëse Shqipëria nuk u rendit kurrë në ato lista, më vonë do bëhej një nga vendet më të dashura për mua.

Pas një udhëtimi veror në Myanmar, vendosa të marr pjesë në një trajnim në Floridën qendrore ku mësova se si të jetoj pa gjërat që shumica e njerëzve i marrin si të mirëqëna, si uji i rrjedhshëm dhe energjia elektrike. Një natë ndërsa po hanim darkë nën dritën e qiriut filluam të diskutonim për Krizën e Kosovës dhe sesi një jetimore në Shqipëri po kërkonte vullnetarë.

Nuk më hiqej nga mendja Shqipëria. Në atë kohë isha 22 vjeçe dhe nuk ja kisha idenë se çfarë më priste. Nuk kisha nevojë të dija se sa do të rritesha apo gjërat që do mësoja, thjesht duhet të ndiqja zemrën time. Shumë njerëz më pyesin pse Shqipëria? Ky vend i vogël është vendi ku gjeta veten dhe jetën që doja të jetoja. Shqipëria, të cilën e vizitova për herë të parë 18 vite më parë, ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Nuk është një vend që ka mbetur në imazhin e të shkuarës por aktualisht po ecën përpara, një vend i mbushur me premtime dhe optimizëm dhe përfundimisht një nga perlat më të nënvlerësuara në botë.

10 arsyet për të rezervuar biletën tuaj për në Shqipëri këtë vit!
1. Për shumë vende nuk është e nevojshme të aplikoni për vizë para se të arrini. Në fakt, amerikanët të cilët janë të interesuar të qëndrojnë më gjatë mund të përfitojnë nga një vizë një vjeçare pas hyrjes. Në fund të periudhës një vjeçare, ne mund të aplikojmë për rezidencë ose të largohemi për tre muaj.
2. Shqipëria është një nga vendet më tolerante në botë. Të krishterët, ortodoksët dhe myslimanët të gjithë jetojnë në mënyrë paqësore në këtë vend. Tradita e tyre lashtë e mikpritjes është besimi i vërtetë fetar këtu.

3. Bukuria natyrore e Shqipërisë është mahnitëse. Ata kanë male dhe plazhe të mrekullueshme, liqene, lumenj….Kam vizituar shumë vende në Shqipëri dhe mund t’ju them se secili prej tyre ka bukurinë e tij.

4. Kostoja e jetesës është e ULËT. Nëse po planifikoni dy javë pushime apo keni ndërmend të lëvizni, në Shqipëri gjeni vende me çmime shumë të mira. Një udhëtim me taksi zakonisht kushton nga 2 deri në 4 dollarë, një darkë e mirë për dy persona mund të shkojë rreth 15 dollarë, një apartament me dy dhoma gjumi në një nga zonat më të mrekullueshme të qytetit mund të kushtojë 400-500 dollarë në muaj.

5. Ushqimi është aq i mirë! Mundësi të shumta për të gjithë. Ka restorante kudo dhe madje mund të porosisni ushqim nga 80 restorante në Tiranë nëse keni aplikacionin “Baboon” në celularin tuaj. Tregjet e fruta perimeve të freskëta janë në çdo cep dhe ushqimi “bio’ është norma. Nëse dëshironi të takoni udhëtarë të tjerë amerikanë, sigurohuni të shkoni në Qendrën Stefan.

6. Është vend i sigurtë! Krimi pothuajse nuk ekziston. Femrat mund të dalin të pashoqëruara edhe natën dhe të mos shqetësohen. Unë shpesh dal me fëmijët e mi dhe përdor shërbimin vendas të taksive pa asnjë problem. Gjithmonë çuditem pasi ndjehem më e sigurtë në Shqipëri sesa në SHBA.

7. Shqiptarët akoma po mësohen me idenë e turistëve por i duan të huajt. Ata janë të kënaqur kur ne vizitojmë vendin e tyre dhe bëjnë të pamundurën për të na ndihmuar për çdo gjë që mund të na nevojitet. Shpesh është shumë e vështirë të gjesh mjete transporti por furgonat janë mjeti më i mirë për turistët këtu.

8. Shumë vendas flasin gjuhën angleze. Në fakt, shumica e shqiptarëve flasin 4 ose 5 gjuhë të huaja si Greqisht, Italisht, Spanjisht dhe Gjermanisht. Siç mund ta imagjinoni, ju bëhet shumë qejfi nëse përpiqeni të mësoni disa fjalë në gjuhën shqipe. Nuk është shumë e qartë se si ka evoluar gjuha shqipe. Shpesh mendohet se e ka prejardhjen nga Ilirët por nuk ka prova të mjaftueshme për të konfirmuar përfundimisht këtë.

9. Interneti është i shpejtë dhe i disponueshëm gjerësisht. Nëse punoni online siç bëjmë ne, kjo gjë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Nëse nuk ndodheni në zona të largëta rurale, shumica e hoteleve, restoranteve dhe lokaleve ofrojnë shërbimin wireless falas.
Nëse po mendoni të qëndroni më gjatë, lidhja e internetit mund të vendoset brenda një ose dy ditësh me shpejtësi 100MB dhe kushton rreth 30 dollarë në muaj.

10. Shqipëria është e pozicionuar në mënyrë të përkryer për të shijuar Europën Perëndimore dhe Lindore si dhe Ballkanin. Nga Greqia mund të udhëtoni drejt Shqipërisë me avion, traget dhe autobus. Një nga mënyrat më të lehta për të hyrë në Shqipërinë jugore është të fluturoni me me avion deri në Korfuz, Greqi dhe më pas të merrni tragetin. Fluturime direkte nga Roma, Londra, Frankfurti dhe Stambolli për në Tiranë dhe anasjelltas janë të zakonshme.

(Përktheu për BalkanWeb, Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb