Interi u mposht ndaj Lacios me rezultatin 0-1 në supersfidën e vlefshme për javën e 29-të të Serisë A. Një humbje e hidhur që ndërlikon së tëpërmi objektivat e zikaltërve.Në prononcimin pas disfatës ndaj të kaltërve, trajneri Spaleti, foli edhe për çështjen “Ikardi” duke u shprehur:

“Negociatat me Ikardin janë poshtëruese për tifozët e Inter dhe për ata që e duan këtë klub. Ata duhet ta lusin dikë për të veshur fanellën e ekipit?! Kjo është e turpshme. Ikardi duhet të qëndrojë një ndeshje jashtë. Nëse vazhdon të sillet siç është sjellë kohët e fundit, atëherë mund të fillojë të rikthehet në skuadër.

Njerëzit thonë se humbëm ndeshjen sepse nuk ishte Ikardi, por kemi humbur ndeshje edhe me të në fushë.  Mesi bën diferencën, jo Ikardi, me gjithë respektin që kam për të.

Ngjarjet janë të qarta, është e drejtë të luajnë të tjerët në këtë moment,e dhe pse Ikardi mund të luante 45 minuta për mua. Megjithatë, duhet besueshmëri në dhomat e zhveshjes, të kesh besimin e grupit. Unë kam patur besimin e çdo grupi ku kam punuar, për 22 vite, janë lojtarët me të cilët kam punuar ata që e tregojnë historinë time, jo ju, që kërkoni dhe publikoni çfarë ju teket.

Interi nuk shkonte në Champions prej 6 vitesh, apo gabohem? Dhe Ikardi aty ishte. Sa ndeshje kemi humbur me Ikardin në fushë? Të ndërhysh që Ikardi të luajë është diçka poshtëruese, për gjithë interistët. Çdo të thotë të bisedosh, të bësh tratativa për të grumbulluar dikë? Çfarë të bëj, të dërgoj 20 e-maile për të thënë nëse grumbullohet dikush apo jo? Është disiplina forca e vërtetë e skuadrës, kundrejt vetes dhe ambientit ku punon. Pastaj tensionin Interit ia rritin gjithnjë, sepse i hidhen sipër dhe i bëjnë gjëra që ky klub nuk i meriton.

 Është një humbje e rëndë ndaj një rivali direkt. Kemi kontrolluar ndeshjen për periudha të gjata, por ishim të pafat dhe kemi humbur mundësitë tona”, u shpreh Spaleti.//PanoramaSport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb