Tekniku i Vllaznisë, Mirel Josa doli para mediave pas humbjes 1-0 me Kastriotin.

“Keqardhje ka, por llogaritë bëhen kur mbaron ndeshja. Nuk shoh se çfarë bëjnë skuadrat e tjera, por atë që bëjmë ne. Në pjesën e parë nuk i zgjidhëm si duhet situatat, edhe në rastin e golit duhet të ishim rreshtuar më mirë në mesin e fushës. Në aspektin sulmues bëmë diçka në krahun e majtë, por në krahun e djathtë mbetëm në presionin e kundërshtarit.

Probleme në sulm? Nuk mendoj që skuadra çalon te sulmi. Kemi Bekimin dhe Kainën lojtarë shtatlartë, Hoxhaj mund të përdoret edhe në krah, por nuk është lojtar klasik në këtë rol. Nuk është problem sulmi, por mënyra si sulmojmë. Nuk krijuam shumë sepse mesfusha nuk mbështeti si duhet. Balaj luftoi, por nuk u mbështet si duhet nga skuadra. Duhet mbështetur më mirë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Nënvlerësim i kundërshtarit? Jo nuk ka nënvlerësim. Sepse Kastrioti ka një skuadër shumë të mirë me lojtarë që e kanë treguar veten në Superiore. Ne pësuam golin dhe nuk arritëm që të bënim presion si duhet te Mehmeti. Nuk e organizuam mirë manovrën e sulmit. Nuk arritëm që të qarkullonim topin dhe të ndronim krahët e lojës.

I kënaqur me Balajn? Nuk ka ardhur Bekimi që të bëhet golashënuesi i skuadrës, por që të jetë një alternativë sepse kemi vetëm një sulmues në organikë. Bekimi është një lojtar i vlefshëm për çdo skuadër. Ai nuk po del në pozicione ku të shënojë, por ka kohë dhe varet se si duhet të ndihmojmë ne atë. Gjendja fizike e tij është e mirë. Duhet të rrisim cilësinë e pasimeve, që shërbejmë për sulmuesit”, tha Josa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: